Site icon Telegrafi

Njihuni me veturën më të gjatë në botë e cila mund të akomodojë deri në 75 persona – brenda ka edhe një pishinë

E ndërtuar nga gjashtë limuzina Cadillac El Dorado të vitit 1976, The American Dream është mbi 30 metra i gjatë dhe ka hapësirë ​​të mjaftueshme të brendshme për të akomoduar deri në 75 persona.

Megjithatë, nuk është mjeti më i lehtë për t’u manovruar.

I ndërtuar fillimisht në vitin 1986 nga koleksionisti dhe personalizuesi i njohur i veturave, Jay Ohrbeg, The American Dream ishte vetëm 18 metra dhe fuqizohej nga një palë motorë V8.

Ohrberg më vonë zgjeroi automjetin e tij unik në një gjatësi të madhe 30.5 metra, përcjell Telegrafi.

Guinness e njohu The American Dream si veturën më të gjatë në botë në vitin 1986 dhe limuzina gjigante u shfaq në kopertinën e disa revistave, në shfaqje televizive dhe madje edhe në filma, por ngritja e saj u pasua nga një rënie e papritur e popullaritetit.

Ai përfundoi i braktisur në pjesën e pasme të një magazine në New Jersey për dekada të tëra, derisa një palë entuziastësh të automobilave e blenë dhe i rikthyen lavdinë e mëparshme.

Sot, The American Dream është kthyer në veturën magjepsëse si dikur, me 26 rrota krejt të reja, bojë të freskët dhe disa centimetra shtesë, falë përpjekjeve të Michael Dezer dhe Michael Manning, të cilët e gjetën atë të listuar në internet dhe vendosën ta blejnë dhe ta restaurojnë.

Me 30.5 metra, The American Dream është vetura më e gjatë në botë me mjaft diferencë, por gjatësia e saj e jashtëzakonshme është vetëm një nga shumë gjëra që e bëjnë atë të veçantë.

Kjo limuzinë ultra e gjatë përmban një pishinë, xhakuzi dhe vaskë.

Manning thotë se ka hapësirë ​​të mjaftueshme për të akomoduar deri në 75 pasagjerë të rritur.

Por edhe pse vetura më e gjatë në botë është teknikisht funksionale, ju mund ta drejtoni atë vetëm në rrugë të drejta.

Kjo pasi kthimi i sigurt i automjetit është i pamundur në shumicën e rrugëve.

Është një veturë ekspozite dhe ju mund ta admironi nga afër në muzeun e veturave Dezerland Park Orlando, në Orlando, Florida. /Telegrafi/

Exit mobile version