Telegrafi

Njihuni me automekaniken e parë në Kosovë

Doruntina Qerimi ka një profesion më ndryshe se shoqet e saj. Asaj i pëlqen të punojë me vetura, madje ka qenë ëndërr e kamotshme.

Është kjo Doruntina Qerimi nga Ferizaj dhe është automekanikja e parë në Kosovë.

Thotë se është puna që e ka dashur gjithmonë.

“Këtë punë e ushtroj prej gjashtë vitesh si e rregullt. Kam qenë ndihmëse e babait. Gjithmonë më ka bërë përshtypje kjo punë. “Kukullat” e mia gjithmonë kanë qenë çekiçi, shtrafsigeri, çelësat”, tregon për RTV Dukagjinin, Doruntina Qerimi.

Dëshirën e Doruntinës për këtë profesion e kishte përkrahur shumë familja e saj, përcjell Telegrafi.

“Gjithmonë kam pasur përkrahjen e babit. Edhe sot më përkrahë me shpirt e zemër. Keqkuptime kemi pasur me klientë por tash është mirë. Pres që edhe pas meje të vijë shumë femra në këtë profesion dhe të hapin këso lloj punëtorish ato”, tregon më tej Doruntina Qerimi.

Ndërsa të shohësh një femër automekanike, për klientët nuk ishte shumë pritshme. Por, më vonë, sipas Doruntinës, duke e parë punën e saj, edhe ata kanë mbet të befasuar.

“Në fillim klientët më kanë pritur keq sepse s’kanë besuar se mund të bëjë një punë të tillë një femër. Kam qenë në Shkollën Teknikë në Ferizaj, por për fat të keq nuk kam mundur të vazhdojë sepse më kanë thënë se “nuk është profesion për ty”. Por kam shkuar bashkë më babin dhe kamë bërë të gjitha praktikat dhe sot ja ku jam…E dua shumë këtë punë. Me shumë vullnet e bëjë”, tregon më tej ajo.

23 vjeçarja premton shumë. Asaj nuk i kanë penguar asnjëherë paragjykimet. Madje ka thënë se do të vazhdojë me  këtë profesion, duke iu bërë thirrje edhe vajzave të tjera që të jetësojnë secilën ëndërr të tyre./RTV Dukagjini/Telegrafi/