Site icon Telegrafi

Njihuni me piloten e parë në botë pa duar (Foto/Video)

Jessica Cox, 36-vjeçe, nga Arizona e SHBA-ve, është femra e parë në botë që ka lindur pa duar dhe që ka mundur të pajiset me licencë të pilotit.

“Kam përshkuar një rrugë të gjatë para se të bëhesha pilote. Jam trajnuar me tre aeroplanë të ndryshëm, jo për shkak se i kam shkatërruar, por që elektronika e instaluar dallon në secilin”, ka deklaruar ajo për KGUN9, transmeton Telegrafi.

E aeroplanin të cilin ajo e piloton është dashur të modifikohet, me qëllim që të mund të manovroj pa ndonjë problem.

“Është i ndërtuar në atë mënyrë që mund ta pilotoj me të dy këmbët dhe të kem kontroll të plotë mbi të”, ka shtuar ajo.

Ndryshe e ëma e saj nuk e kishte ditur që do të lind një foshnje pa duar, deri disa minuta para se të futej në sallën e lindjes.

“Ka qenë shumë e brengosur për të ardhmen time, duke menduar se si një person pa duar do të më duhet që tërë jetën ta kalojë e mbyllur në katër mure”, ka thënë ndër tjera pilotja pa duar.

Megjithatë, Jessica nuk lejoi që një fakt i tillë ta ndalë në realizimin e ëndrrave. Kështu vendosi të bëhet pilote, mësoi të luaj në piano, të bëjë “surfing” dhe u pajis me patentë shoferë.

Përveç këtyre, Cox noton, merret edhe me alpinizëm dhe aktivitete tjera të ngjashme.

“Kurrë mos u frikësoni që të ballafaqoheni me frikën që keni brenda. Bëni atë që ju frikëson, pasi vetëm në këtë mënyrë do të ndjeheni të gjallë”, ka porositur të gjithë ata që kanë pasur situata të ngjashme në jetë. /Telegrafi/

Exit mobile version