Aitana Lopez është modelja e parë spanjolle e krijuar nga inteligjenca artificiale dhe ka një fitim deri në 10,000 euro në muaj.
Në një periudhë të vështirë, verën e kaluar, Ruben Cruz, dizajneri dhe themeluesi i agjencisë “The Clueless”, vendosi të krijojë influencuesen e vet për të përdorur si modele për markat që i afroheshin.
Kështu ata krijonin Aitanën, një grua 25-vjeçare artificiale me flokë rozë nga Barcelona, të cilën e krijuan pranë përsosmërisë fizike, shkruan DailyMail.
Ajo mund të fitojë deri në 10,000 euro në muaj, por mesatarisht fiton rreth 3,000 euro.
Dizajnerët në agjenci përdorin inteligjencën artificiale dhe ekspertët e ‘photoshop’-it për çdo javë për të krijuar jetën e Aitanës, duke vendosur se çfarë do të bëjë ajo gjatë javës, vendet që do të vizitojë dhe fotografitë që do të ngarkohen për ndjekësit që duan të dinë më shumë për të.
Ajo madje merr mesazhe private nga yjet e Hollywoodit që nuk e dinë se ajo nuk është një person real.
Aitana tashmë ka më shumë se 121,000 ndjekës në Instagram dhe fotografitë e saj marrin mijëra shikime dhe reagime.
Dizajnerët e saj kanë krijuar edhe një model virtual të dytë të quajtur Maia, e cila është “pak më e turpshme”. Emrat nuk janë zgjedhur rastësisht, të dy përmbajnë akronimin për inteligjencën artificiale (AI).
Agjencia “The Clueless” është mbytur me kërkesa nga markat që dëshirojnë modelin e tyre të personalizuar. Megjithatë, ka kritika për përsosmërinë jo realiste të modeleve që mund të influencojnë brezin më të ri të bëhen të fiksuar pas arritjes së kësaj përsosmërie.
Gjithashtu ka kritika për imazhin shumë seksual të modeleve të krijuara, por agjencia përgjigjet se thjesht po ndjekin estetikën e krijuar nga influencuesit realë dhe vet markat. /Telegrafi/