Telegrafi

Njihuni me mekaniken femër të makinave në Emirate që drejton me sukses “një biznes në një botë të mbizotëruar nga meshkujt”

Huda al-Matroushi është ende një nga pak – ndoshta e vetmja grua – nga Emiratet e Bashkuara Arabe që merren me riparimin e makinave, një biznes që është dominuar nga burrat për vite me radhë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, 36-vjeçarja thotë se makinat kanë qenë një hobi i fëmijërisë për të.

“Unë i dua shumë makinat, dhe të gjitha llojet e modeleve! Unë dua makinat sportive, makinat luksoze dhe makinat e zakonshme, i dua detajet e tyre të ndryshme”.

Huda i tha mediave të huaja se i pëlqen të riparojë makinat, sepse është një punë që ajo mendon se i përshtatet dhe për të cilën ajo është krenare.

Madje, riparimi i makinave për të është një punë që e do shumë dhe një biznes që jeton që prej saj.

Kur vendosi të hapte shërbimin e saj në Sharjah, kryeqyteti i emiratit me të njëjtin emër, një nga shtatë që përbëjnë Emiratet e Bashkuara Arabe, familja e saj dyshoi në zgjedhjen e saj.

Sidoqoftë, ajo arriti ta bindë babanë e saj që, për habinë e familjes së saj, ta mbështesë atë në një punë që sigurisht nuk është e lehtë për gratë.

Dhe ndihmësi i saj, Mohamed Halavani, thotë se në fillim ishte e çuditshme për të që një grua të drejtonte garazhin.

“Dhe kur filluam të punojmë së bashku, dhe kur ajo më thoshte ‘Çmontoje!’, ‘Montoje!’, ishte plotësisht e qartë për mua se ajo kishte shumë përvojë”.

Por ajo nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq.

Huda al-Matroushi shpreson të jetë në gjendje të kthejë garazhin e sa në një qendër të madhe shërbimi, si dhe të jetë në gjendje të hapë më shumë shërbime në të gjithë vendin. /Telegrafi/