Gjatë një paraqitje televizive, Dijana Stevanoviqi nga qyteti Bijelina në Bosnje e Hercegovinë, që punon si frizere ka folur për kohën kur dikur kishte punuar si anëtare e sigurimit të ish-liderit libian Muammar Gaddafi.
Ajo zbuloi se si e vogël kishte ëndërruar të bëhet frizere dhe grimere, por kurrë nuk kishte besuar se kjo punë do ta dërgojë deri te Muammer Gaddafi, transmeton Telegrafi.
Kështu një ditë u zhvendos në Libi, e falë punës së saj shpejt arriti në kontakt me familjen e Gaddafit. Ajo fillimisht ia kishte rregulluar flokët gruas së tij dhe më pas filloi ta vizitojë edhe i biri.
Për prerjen e parë të flokëve të Safie Farkash, ish-zonjës së parë të Libisë, kishte marrë 1 mijë dollarë. E nga bashkëshorti i saj kishte marrë shuma shumë më të mëdha e madje edhe flori.
“Pas tre muajve u pajisa me dokumentacion që më lejonte të futem në rezidencë dhe të kem shoferin personal. Pas disa muajve mora edhe veturë zyrtare”, shtoi Dijana.
Familjen e tij e kishte përcjellë nëpër udhëtime dhe kishte shëtitur tërë Afrikën. Në një rast Gaddafi i kishte thënë personalisht se kanë filluar trajnimin e personelit për truproja, dhe e kishte pyetur nëse dëshiron të jetë pjesë e këtij ekipi.
Pasi që përmbushte të gjitha kriteret u bë pjesëtare e sigurimit, dhe që kërkohej të jetë 182 centimetra e gjatë dhe të peshonte 120 kilogramë. /Telegrafi/