Telegrafi

Njihuni me familjen 25 anëtarëshe, që i kanë nga 12 gishtërinj në duar dhe këmbë (Foto)

Një familje nga India në total kanë 600 gishtërinj, ku secili prej 25 anëtarëve ka nga 12 gishta në duar dhe 12 tjerë në këmbë, shkruan Daily Mail.

Krishna Choudhary, që jeton në një fshat të vogël në Gaya në pjesën veriore të Indisë, ka nga gjashtë gishtërinj në duar si dhe nga gjashtë tjerë në këmbë, ashtu sikurse babai, vëllezërit dhe motrat e tij, transmeton Telegrafi.

Por kjo gjë e pazakontë po i shkakton probleme të mëdha 50-vjeçarit, i cili po e ka të vështirë të martojë vajzat e tij, pasi që meshkujt nuk dëshirojnë të kenë një grua me 24 gishta.

“Babai dhe gjyshi im kishin nga 24 gishtërinj. Këtë gjë e kam trashëguar edhe unë së bashku me vëllezërit dhe motrat, por edhe fëmijët dhe nipat e mbesat. Personalisht nuk e kam problem që i kam 24 gishta, por fëmijët dhe nipërit e mbesat e mia po vuajnë shumë. Ka pasur raste kur shumë meshkuj kanë refuzuar të martohen me vajzat e mia, pasi e kuptuan se ato e kanë nga një gisht më tepër. Vajzën time të madhe e kanë refuzuar katër meshkuj, në momentin që e kuptuan se ajo ka 24 gishtërinj. Nuk e di pse po e bëjnë këtë, por është e tmerrshme”, ka deklaruar Choudhary.

Motra e Krishnas, Sitbiya Choudhary, është e bindur se këta gishtërinj janë të bekuar nga perëndia, derisa anëtarë tjerë të familjes besojnë se janë të mallkuar.

“Mendoj se jemi të bekuar nga perëndia, sepse nuk njoh ndonjë familje tjetër që i ka të gjithë anëtarët me nga 24 gishtërinj. Duhet të jetë ndonjë mesazh nga Zoti”, ka shtuar ajo.

Megjithatë, Krishna me familje kanë hasur në vështirësi tjera siç është gjetja e këpucëve të përshtatshme për këmbët e tyre. Ata detyrohen të mbathin sandale me një gisht (flip-flop).

“Nuk mund të gjejmë këpucë të përshtatshme për këmbët tona. Ato thjesht nuk na përshtaten dhe kështu jemi të detyruar të mbathim sandale me një gisht, pasi nuk kemi para të mjaftueshme që porositim këpucë speciale”, ka shtuar Krishna.

Mjeku Aayush Gupta, profesor në Universitetin Patil në departamentin e dermatologjisë, ka deklaruar se gjendja e tyre shëndetësore njihet si Polydactyly.

“Është një çrregullim gjenetik, i shkaktuar nga një mutacion gjatë zhvillimit të gjeneve dhe një anomali kongjenitale fizike tek qeniet njerëzore”, ka shtuar ai. /Telegrafi/