Telegrafi

Njihuni me drejtorin e ri të BSP-së, Sasho Tasevski

Sasho Tasevski do të jetë drejtori i ri i Byrosë për Siguri Publike me vendim të Qeverisë së Maqedonisë. Tasevski deri tani e ka kryer funksionin e shefit të Drejtorisë së gjashtë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Gjithashtu Tasevski ka qenë një nga truprojet kryesorë të Oliver Spasovskit gjatë kohës së sulmit ndaj deputetëve më 27 prill të vitit të kaluar, ndërsa ka marrë pjesë edhe në mbrojtjen e Zoran Zaevit në ato ngjarje, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sasho Tasevski është magjistër i sigurisë dhe doktor në Fakultetin e Sigurisë. Karrierën e ka filluar në njësitin special “Tigrat.

Prej vitit 2001 ai ka punuar tek ish-presidenti Branko Crvenkovski, në Departamentin e delegacioneve të jashtme, ndërsa më pas edhe tek ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Sektori me të cilin do të udhëheq Tasevski është një nga më të rëndësishmet në MPB, që ka të bëjë drejtpërdrejtë me udhëheqjen e punëve të policisë. Ai do ta zë vendin e Llaze Velkovskit, ndërsa ka mandat prej katër vitesh./Telegrafi/

Sasho Tasevski gjatë marrjes së detyrës nga Llaze Vellkovski