Telegrafi

Njihuni me Blearta Ukëhaxhajn, shqiptaren e vetme që ka fituar një ndeshje tenisi në Fed Cup

Blearta Ukëhaxhaj ishte vetëm shtatëvjeçare kur filloi të merrej me këtë sport. Reketi tashmë i është bërë i pandashëm. 17-vjeçarja, e cila ka marrë pjesë në gara të ndryshme ndërkombëtare, ka thënë për RTV Dukagjinin se me këtë sport është e lidhur shpirtërisht.

“Kam filluar të luaj tenis që nga mosha shtatëvjeçare, pasi babanë e kam trajner të tenisit dhe pothuajse gjithë jeta jonë ka qenë e lidhur me tenisin. Nga viti 2015 jam pjesë e përfaqësueses së Kosovës dhe marrë pjesë në garat jashtë Kosovës. Edhe pse tenisi është sport individual, puna ekipore sjell më tepër suksese”.

“Kisha dashur ta veçoj pjesëmarrjen në Fed Cup – Kampionati Botëror i Tenisit për femra. Kemi qenë katër garuese dhe trajneri duke pasur edhe suksese, dhe për mua mbetet ndër eksperiencat më të mira në karrierë”, është shprehur Blearta për RTV Dukagjinin.

Sporti i tenisit, ndonëse është atraktiv, ai ka edhe vështirësitë e tij. Blearta ka thënë se vështirësitë e tij kalohen, nëse je rritur me të.

 

“Tenisi hynë te sportet e vështira për shkak se duhet përgatitje fizike dhe psikike. Për të qenë teniste e mirë së pari duhet të kesh kushtet bazike. Në Kosovë është paksa e vështirë të përmbushen këto kushte”, ka thënë më tej Ukëhaxhaj.

Blearta çdo ditë ushtron këtë sport, nga tri deri në katër orë në ditë. Ajo kishte fatin që hapat e saj të parë i mësoi nga babai Sami Ukëhaxhaj, i cili ende është trajneri i saj. Ai ka thënë se është krenar deri më tani me Bleartën, pavarësisht që ky sport kërkon shumë shpenzime, e sidomos kur nuk ka përkrahje.

“Unë kam filluar të mësoj të luaj tenis në Zvicër para 20 vitesh. Ëndrra ime ka qenë që tenisin ta sjellim edhe në Kosovë dhe deri diku e kam arritur këtë qëllim. Jemi si familje të angazhuar në tenis. Kemi arritur ta përfaqësojmë Kosovën në gara të ndryshme ndërkombëtare. Mund të them se Blearta është ndoshta e vetmja shqiptare që ka pasur fitore në Fed Cup”, ka theksuar trajneri i tenisit, Sami Ukëhaxhaj.

Tenistja Blearta Ukëhaxhaj,  ka thënë se  nuk duhet të ndalesh vetëm më një garë, sepse sukseset e këtij sporti janë të pafundme!/RTV Dukagjini/Telegrafi/