Site icon Telegrafi

Njihuni me Alireza Beiranvand: Nga një i pastrehë dhe pastrues rrugësh, deri te bërja e historisë duke mbrojtur penalltinë e CR7

Foto: sportbible.com

Portieri i Përfaqësueses së Iranit, Alireza Beiranvand, është nga ata të paktit që mund të thonë: “I kam mbrojtur penallti Cristiano Ronaldos”.

Në fakt, ai është portieri i parë që arrin t’ia mbrojë penalltinë (në kohën e rregullt dhe vazhdime) një lojtari portugez në histori të Kampionatit Botëror.

Ai u lind në një familje nomade e cila lëvizte shpesh për të gjetur kullota për delet e tyre. Si fëmijë ai e dashuronte futbollin, fillimisht ishte sulmues, derisa në një ndeshje portieri i skuadrës u lëndua dhe ai e zëvendësoi, duke treguar paraqitje të mira sot e asaj dite ai nuk e ka lëshuar asnjëherë portën.

Momenti kur mbrojti penalltinë e Ronaldos (Foto: Steven nabil/Twitter)

Megjithatë, familja e tij nuk e miratoi gjithë këtë dhe ai për të ndjekur ëndrrën u largua nga shtëpia në drejtim të Teheranit (kryeqyteti i Iranit).

“Babait tim nuk i pëlqente fare futbolli dhe kështu më kërkonte të punoja. Ai madje më grisi rrobat dhe dorezat e mia, kështu disa lojë kam luajtur edhe pa ato”.

Por, rrugëtimi i 25-vjeçarit deri në një ndeshje të Botërorit nuk ka qenë aspak i lehtë. Para se të bëhej futbollist ai punoi në një fabrikë të veshjeve, pastrues makinash e rrugësh dhe në një piceri. Trajnerin e parë që i kishte dhënë mundësinë për të treguar talentin e tij e kishte takuar në autobus rrugës për Teheran, ndërsa më poshtë keni një pjesë të shkurtër të intervistës së tij.

Irani u eliminua nga Botërori, por krenar me paraqitjen e tyre

“Flija para derës së klubit dhe kur zgjohesha në mëngjes e shikoja që njerëzit teksa flija më kishin gjuajtur para”.

“Ata kishin menduar se isha një lypës. Epo, ishte atëherë kur hëngra një mëngjes të shijshëm për herë të parë pas shumë kohësh”, ka thënë Beiranvang për Guardian.

Pas një pune dhe përkushtimi të madh, Beiranvand u bë futbollist profesionist dhe përmbushi ëndrrën për të luajtur në një Kampionat Botëror.

Ai debutoi si 19 vjeçar te klubi iranian Naft Tehran, kurse tani luan te Persepolis. Jo keq për një 25 vjeçar, kurrë mos hiqni dorë nga ëndrra juaj. /Telegrafi/

 

Exit mobile version