Kryetari i Partisë së Pensionistëve të Shqiperisë, Selami Jenishehri, ka bërë një rrëfim mjaftë të rrallë. Ai tha se ka biseduar me kryetarin e PD-së, Lulzim Bashën dhe i ka kërkuar që kryebashkiakja e Shkodrës Volata Ademin t’i ndërtojë selinë e partisë, në mënyrë që ai të digjte mandatin.
Duke qenë se, Basha ka dhënë përgjigje negative, Jenishehri e pranoi mandatin dhe sot është deputet i Kuvendit të Shqipërisë, në moshën 77 vjeçare.
“Luli na thirri të gjithëve. Ai më propozoi të djegia mandatin. Na solli një deklaratë. Unë i thashë do ta djeg mandatin, por kam një rregull, duhet të pyes kryesinë. I kam thënë gjithashtu, nuk e çoj këtë letër, nëse Voltana Ademi, nuk më ndërton selinë e partisë time, që e ka shkatërruar me buldozer. Luli më kishte thënë do bisedoj me Ademin dhe nuk e mbajti fjalën. Kur vjen puna, Basha më merr në telefon dhe më thotë nuk e rregullojmë dot me kryetaren e bashkisë. I thashë kur ta bësh t’i, unë djeg mandatin.I thashë po shkoj në parlament, kur të bindësh kryetaren e Bashkisë, edhe unë e djeg mandatin”, rrëfen pensionisti në emisionin “Të Paekspozuarit”.
77-vjeçari tha historinë e jetës së tij, sesi është rritur jetim dhe si krijoi Partinë e Pensionistëve.
“Jam rritur me sakrifica të jashtëzakonshme. Jam rritur jetim. Kam mbaruar për matematikë dhe fizikë. Kam pasur role të veçanta në parti, kam qenë drejtues i Partisë Demokristiane. Kisha emocion të madh dhe kjo është dita më e lumtur , sot që kam mbushur 77 vjet. Unë sot u ula në karrigen e deputetit Fatmir Mediut. Partia fillimisht ka lindur me një drekë në lokal. Aty mblidheshin njerëz të mirë. Atëherë mendova se do të bëj një parti që t’ju dalë zot pensionistëve. Kam ndihmuar pikërisht pensionistët me sa kam mundur. Prandaj, kam hapur Partinë e Pensionistëve të Shqipërisë. Partitë e mëdha na kanë parë si armike sepse kurrë nuk kam vjedhur. Kam qenë në koalicion me PS-në dhe me PD-në dhe e dinë se kurrë nuk vjedh”, tha kryetari i Partisë së Pensionistëve të Shqiperisë, Selami Jenishehri. /Telegrafi/