Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës nuk i ka kushtet edhe aq mirë. Në një raport të Inspektoratit Policor të Kosovës përshkruhen kushtet e jetës ku pjesëtarë të kësaj njësie gjenden.
Raporti që është përpiluar nga IPK, përfshin periudhën për vitin 2013 dhe në kampin “Vrella”, ku është vendosur Njësia speciale, i cili ka gjetur papastërti në ushqim dhe në higjienë.
Njësia Speciale dhe Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore e kanë vizituar së bashku me Institutin Kombëtar për Shëndetin Publik, ku edhe është konstatuar se burim i infeksionit të policëve specialë janë ushqimi dhe uji i pakontrolluar.
“Sipas dokumentacionit të prezantuar nga Departamenti shëndetësor, 25 pjesëtarë nga numri total 40 i pjesëtarëve të ekzaminuar, janë të diagnostikuar me Helicobakter Pylori dhe shumica me pengesa gastroenterologjike”.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka hartuar raport nga inspektimi i datës 27 dhe 28 maj 2013 dhe ka dalë me këto rekomandime për Kampin “Vrella”; blerja e makinës për larjen e enëve dhe një dollapi të mbyllur ku ruhen enët e pastra; që grumbullimi i mbeturinave të ushqimit të bëhet në këndin kah dera e trapezarisë dhe jo në pjesën ku distribuohet ushqimi; që frigoriferi të pastrohet rregullisht dhe të përdoret vetëm për artikujt që kërkojnë temperaturë frigoriferi. /Tribuna/Telegrafi/