Nën rrezet e diellit e nën shoqërimin e këtyre pëllumbave… Kështu fillon një ditë e zakonshme për të.
Të palodhur e me plot vullnet për jetën, këtë njeri e gjen rrugëve të Gjilanit, duke u përkujdesur për mirëqenien e qytetit të tij. Por, kush është ky person i pamposhtur, i cili u ka bërë ballë sfidave të jetës, edhe pse ajo nuk e ka trajtuar në mënyrën më të mirë?!
“Jam i lindur në vitin 1969. Prej dy vjetëve jam person me aftësi të kufizuara. Do të thotë qe 49 vjet. Vitet prej 65 deri 75-76 ka qenë si lloj gripi, si gripi i sotshëm që është pandemia ka qenë edhe polio sepse nuk jam kanë i vaksinuar kundër paralizës së fëmijëve. Fatkeqësisht ajo më ka prekë mu dhe një kohë të gjatë kom qëndrua nëpër spitale, Shkup, Orhid. Fati deshi që aftësia dhe ndihma e mjekëve të arrijmë vetëm deri këtu sepse polio nuk ka shërim”, u shpreh Avdil Ibishi.
“Përkundrazi gjendjes teme shëndetësore, unë jam martuar. I kom dy fëmijë dhe gruan. Ata më japin motiv shtesë që të punoj dhe të jetoj”.
Pavarësisht vështirësive nëpër të cilat ka kaluar, Avdili nuk është dorëzuar asnjëherë. Problemet shëndetësore nuk e kanë ndaluar atë që të punojë.. Madje, i gjithë ky pozitivitet i tij, ka bërë që njerëzit ta duan edhe më shumë.
“Një ditë të zakonshme e filloj në 5 të mëngjesit. E pi një kafe te shpija dhe filloj ditën e re me punë. Prej shtëpisë dhe deri te vendi i punës këtu te parku i qytetit grumbullohen të gjithë kolegët. Shefi kryesor na cakton secilit punët kah me u orientu. Shumicën e rasteve e kom në qendër të qytetit dhe nëpër sheshe”, shprehet Avdili.
Ai tutje thekson se me këtë profesion merret që nga viti 2010.
“Falë bashkëpunimit në mes Hendikosit, qendrës për punësim dhe organizatës ndërkombëtare që ka qenë, kosfit, e cila ka qenë, dhe unë jom punësuar. Tash është gati mesi i ditës. Deri të shkoj te shpija muj me thon që 300 deri 400 vetë rrugës më përshëndesin. A me vetura a në këmbë, krejt. Kanë respekt për mu po edhe unë kom respekt për qytetarët e Gjilanit. Unë paragjykimet se jam person me aftësi të kufizuar i kom eliminua. Kështu që nuk kom pas asnjë diskriminim ose prej dikujt, prej shokëve a prej rrethit”, tha Ibishi.
Ky njeri me shpirt luftarak, ka krijuar një lidhje të veçantë me pëllumbat. Tek ky lokacion e gjeni çdo ditë, i rrethuar me dashurinë e tyre.
“Kohën e pushimit e kaloj me këta pëllumba. Kur të afrohna afër 500 deri 700 metra, këta vetëm fillojnë me fluturu mbi kokën time. Ka dy tre ndalen në kokë se i kom msu qe 7 vite apo 8 që i ushqej. Ju bi nonstop, çdo mëngjes grurë ose bukë a diçka çka t’mjesin te shpia nuk i lo pa i pru”, rrëfen Avdili.
Për fund, Avdili pati një mesazh për të gjithë ata të cilët, jeta i ka sprovuar.
“Për fund mesazhi jem për personat me aftësi të kufizume që mos të dorëzohen. Të luftojnë sepse do t’i arrijnë qëllimet e veta, do të fitojnë”, u shpreh ai. /RTVDukagjini/