Nga: Dashnor Kokonozi
Fjalët e Primo Levit se “është falë Lorencos që sot jam gjallë”, mbetën për shumë kohë disi enigmatike. Kush ishte ky Lorenco që në Aushvic e shpëtoi shkrimtarin e ardhshëm?
Kjo pyetje e mundoi për shumë kohë edhe historianin Carlo Greppi, që ka trajtuar në shumë vepra e emisione të Rai 3 problemin e Shoah. Ai është edhe autor i një romani me këtë temë: Mos rri mbrapa (Feltrinelli 2016), por edhe i librave të tjerë si Ishim më mirë kur ishim më keq, Historia je ti etj.
Gjetjes së njeriut që shpëtoi Levin ai ia ka kushtuar librin Njeri pa fjalë.
Ky njeri është Lorenco Perrone, një piemontez aty te dyzet vjetët, jo fort i arsimuar e pa shumë fjalë, i cili në atë kohë punonte si murator në afërsi të kampit Aushvic III.
Primo Levi, që rridhte nga një familje e madhe hebreje e Torinos, ishte diplomuar për kimi dhe në dhjetor 1943 u arrestua nga milicia fashiste – për t’u dërguar në Aushvic më 22 shkurt 1944.
Ishte njëzet e katër vjeç dhe matrikulla e tij mbante numrin 174517
Bashkë me të, në Aushvic u dërguan edhe 650 persona të tjerë nga të cilët u kthyen vetëm 95 vetë.
Midis këtyre dy burrave që nuk i lidhte asgjë, pra midis një intelektuali piemontez dhe një murartori lindi një miqësi që do të sfidojë të keqen. Lorenco do të gjente mënyrën që të ndante me të kafshatën e bukës dhe supën. Kaq gjë bëri të mundur ta mbante Levin gjallë, sa kohë që të tjerët vdisnin njëri pas tjetrit, për të na dhënë më pas librat e shkëlqyer që shkroi.
Për nder të tij, Primo Levi do t’ua vërë fëmijëve emrat Liza, Lorenco e Renco.
Psikologjikisht, ata të dy ishin shënjuar për jetë nga kampi i vdekjes.
Levi do të vrasë veten më 1987, gjë që do të shtyjë Elie Wieselin të shkruajë se ai “vdiq në Aushvic dyzet vjet më pas”.
Një akt të tillë vetëvrasjeje e kishin bërë edhe mjaft emra të mëdhenj që i kishin shpëtuar Holokaustit, si: Paul Celan, Jean Améry, Bruno Bettelheim etj.