“Ka qenë nder i madh me përkrahë komandantin e UÇK-së, Adem Jasharin”, janë fjalët e njeriut që gjithmonë i kishte qëndruar në krah komandantit legjendar.
Zeqir Rexhepi nga fshati Qirez, vend ku ndodhi lufta e parë frontale kundër serbëve, e kujton kohën kur komandanti i kishte besuar disa armë familjes së tij.
Ai për Reporterin rrëfen se në kontaktet e para me familjen Jashari ishte diskutuar se kur të niste lufta, e më pas ato kontakte ishin mbajtur edhe në kohën kur gjithçka vlonte në Drenicë.
“Kena kontaktu me familjen e Adem Jasharit dhe na kanë thënë se është herët me ndez luftën tash, se veç sa kemi nisur m’u formu. Dy armë i kemi marrë prej Adem Jasharit, ku i thotë babës: Axha Brahim, këto dy armë janë përdor, me bë me t’u zënë këto armë familja të shkon krejt”, tregon Zeqiri.
E armët e lëna në duart e familjes së tyre, Zeqiri thotë se i përdorën për ta mbrojtur komandantin. Siç tregon ai, edhe në rrëfimin e parë edhe në të dytin, ai dhe familjarë të tij ishin nisur për në Prekaz.
“Në rrethimin e parë të Adem Jasharit, kemi marrë armët, axha dhe vëllai, dy automatikë që i kanë pasur. Kemi nis të shkojmë në Prekaz. Kemi shkuar atëherë në këmbë. Po ashtu, kur është sulmuar më 22 janar familja e Adem Jasharit, vëllai Beqir Rexhepi ka shkuar për të ruajtur në Prekaz”, shton ai.
Por, ndonëse kohët kanë ndryshuar, ai vazhdon njëlloj të shërbej me nder dhe t’u qëndrojë afër komandantit Adem Jashari.
Në thuajse çdo ditë të punës së tij si polic, ai kryen punë rreth Kompleksit Memorial në Prekaz, ku pushon trupi i Adem Jasharit dhe të familjarëve të tij.
“Në kohën e luftës, armët që i morën nga Adem Jashari, i mbajtëm shumë mirë dhe luftuam me to. Kurse tash, i shërbej prapë shtetit tim dhe e kam armën me të cilën i shërbej shtetit dhe popullit tim”, thotë me krenari ai./Reporteri/