Site icon Telegrafi

Njeriu prapa “Vajzës afgane”

“McCurry: Ndjekja e ngjyrave”, quhet dokumentari që flet për fotografin që bëri një nga portretet më të njohura në botë, shkruan Andrew Pulver për The Guardian, transmeton Telegrafi.

Emri i Steve McCurry-t mund të mos shkaktojë njohje të menjëhershme, por fotografia e tij më e famshme, me siguri që po: “Vajza afgane”, e realizuar në një kamp refugjatësh në Pakistan, në vitin 1984, me 12-vjeçaren e quajtur Sharbat Gula, sytë e së cilës të shndritshëm deri në befasi, u publikua në kopertinën e revistës National Geographic. Karriera e McCurry-t është shumë më tepër se kaq, por kjo është fama që i jep forcë të rëndësishme reputacionit të tij dhe e ngre atë në elitën e fotografisë.

Pra, çfarë na thotë ky person i admirueshëm? McCurry është marrës mjaft i guximshëm, që nuk dëshiron të japë shumë; por, i drejtpërdrejtë dhe pa kompromis për atë që do.

Karriera e tij fillon kur ndjek gjurmët e hipive, të mesin e viteve 1970 në Indi, dhe përfundon duke kaluar kufirin në Afganistan për të mbuluar luftën civile që pasoi me puçin komunist më 1978. Pushtimi sovjetik, në vitin 1979, doli të jetë depërtimi i tij i madh, duke shtuar nxitjen e mediave për fotografitë që pak muaj më parë ai, si fotograf i panjohur në një konflikt mezi të vërejtur, nuk mundte t’i shiste.

Lidhja e McCurry-t me fotografinë e vatrave të luftës, siç thotë ai, nuk ishte zgjedhja e tij; në të vërtetë, thotë ai, u pickua herët nga insekti i udhëtimit dhe motivimi i tij ishte të eksploronte të paeksploruarën. (E shohim atë në formë empatike duke fotografuar një komunitet të largët në Papua Guinenë e Re, përfshirë një djalë të ri, babai i të cilit ka vdekur dhe nëna e ka braktisur.) Natyrisht, ai flet se si e ka bërë foton e “Vajzës afgane”, duke hasur rastësisht në një dhomë mësimi për vajza në kampin e refugjatëve Nasir Bagh në Peshavar; ndërsa, mundohet të hedh poshtë pretendimet se e ka mashtruar. Krijuesit e dokumentarit përfshijnë gjithashtu një pjesë të materialit intervistues të vitit 2017, në të cilin Gula shprehet e lumtur me foton. McCurry gjithashtu duhet të përballet me një tjetër polemikë – në lidhje me manipulimin dixhital të fotografive të tij – të cilën e racionalizon duke thënë se është “tregimtar viziv”.

Sido që të jetë, McCurry duket se është në një fazë të ngjashme me atë të Sebastião Salgados; udhëtimi nëpër glob do të thotë se ka evoluar përtej reportazhit të thjeshtë dhe se tani është në pozicion për të bërë deklarata të mëdha për planetin dhe për mjedisin. Në një sekuencë mjaft të interesante, mësojmë se ky burrë u bë baba në fund të të gjashtëdhjetave dhe se për vajzën e tij të vogël është i përcaktuar të regjistrojë botën natyrore që po zhduket. /Telegrafi/

 

Exit mobile version