Tregim nga: Angela Carter
Përktheu: Hysen Kobellari
Ky është një vend verior; ata kanë mot të ftohtë, kanë zemra të ftohta.
Ftohtë; stuhi; kafshë të egra në pyll. Është një jetë e vështirë. Shtëpitë e tyre janë të ndërtuara me trungje, të errëta dhe me tym brenda. Aty do të ketë një ikonë të papërpunuar të Virgjëreshës pas një qiriri që digjet e kullon, këmbën e një derri të varur për t’u konservuar, një varg kërpudhash që thahen. Një shtrat, një fron, një tavolinë. Jetë të vështira, të shkurtra, të varfra.
Për këta pylltarë malësorë, djalli është po aq i vërtetë sa je ti apo unë. Për më tepër, ata nuk na kanë parë dhe as nuk e dinë se ne ekzistojmë, por djallin e shohin shpesh nëpër varreza, ato vendbanime, qyteza të zymta dhe prekëse të të vdekurve ku janë varret, janë të shënuara me portrete të të ndjerit në stilin naiv dhe nuk ka lule për t’i vënë përpara, asnjë lule nuk rritet atje, kështu që ata nxjerrin oferta, blatime të vogla kushtimi, bukë të vogla, ndonjëherë, një kek, një tortë, që arinjtë vijnë duke rrahur lingthi nga skajet e pyllit për ta rrëmbyer.
Në mesnatë, veçanërisht në Walpurgisnacht (Nata e Valpurgisit), Djalli bën piknik nëpër varreza dhe fton shtrigat; pastaj gërmojnë e qitin kufoma të freskëta dhe i hanë ato. Kushdo, pra, gjithkush do t’jua thotë, do t’ua tregojë këtë.
Kurora me hudhër në dyer i mbajnë larg vampirët. Një fëmijë me sy blu i lindur me të futur këmbët e para të natës së Shën Gjonit, do të ketë pamje, shikim të dytë. Kur ata zbulojnë një shtrigë – një plakë djathërat e së cilës piqen kur te fqinjët nuk piqen, një plakë tjetër, macja e zezë e së cilës, oh, o sa keq! e ndjek atë pothuajse gjatë gjithë kohës, ata e zhveshin plakën e rrudhur, kërkojnë për shenjat e saj, për thithkat e tepërta që e thithin të afërmit e saj të njohur. Ata shpejt e gjejnë atë. Pastaj e vrasin me gurë.
Dimër dhe mot i ftohtë.
Shkoni dhe vizitoni gjyshen, e cila ka qenë e sëmurë.
Merri asaj ëmbëlsirat me tërshërë që unë kam pjekur për të në gurin e vatrës dhe një tenxhere të vogël me gjalpë.
Fëmija i mirë bën ashtu siç i kërkon nëna e saj – ecën pesë milje nëpër pyll; nuk e lë, nuk e lëshon rrugën për shkak të arinjve, derrit të egër, ujqërve të uritur. Ja, merre thikën e gjuetisë së babait tënd; ti e din si ta përdorësh atë.
Fëmija kishte një pallto një si shtresë lëkure delesh të zgjebosura, për të mbajtur larg të ftohtin, ajo e njihte pyllin shumë mirë e nuk kishte për t›u frikësuar nga ai, por ajo duhet të jetë gjithmonë e kujdesshme. Kur dëgjoi atë ulërimë të ngrirë acar të ujkut, ajo hodhi dhuratat, kapi thikën e vet dhe u kthye duke u hedhur mbi bishën.
Ishte një goxillë gjigante, me sy të kuq dhe në vrapim e sipër i dukeshin çaponjt e thinjura, të përhime; çdo fëmijë, përveç një fëmije malësori, do të kishte vdekur nga frika duke e parë atë. Ai i shkoi drejt e në fytin e saj, siç bëjnë ujqërit, por ajo e goditi hatashëm me thikën e babait të saj dhe ia preu këmbën përparme të djathtë.
Ujku lëshoi një gulçimë, gati një të qarë me ngashërim, kur pa se ç’i kishte ndodhur; ujqërit janë më pak të guximshëm se sa duken. Ai u hodh duke u zvarritur pa ngushëllim midis pemëve, ashtu siç mundi duke u mbështetur në tre këmbët, duke lënë pas vetes një gjurmë gjaku. Fëmija e fshiu tehun e thikës së saj në përparëse, mbështolli putrën e ujkut në pëlhurën në të cilën nëna e saj kishte paketuar ëmbëlsirat e kekut me tërshërë dhe vazhdoi udhën drejt shtëpisë së gjyshes. Shpejt filloi të binte dëborë aq e dendur sa shtegu dhe çdo hap, gjurmë ose përroskë gjithçka që mund të ishte mbi ishin errësuar krejt.
Ajo e gjeti gjyshen e saj të ishte aq e sëmurë sa e kishte çuar veten në shtratin e saj dhe kishte rënë në një gjumë të shqetësuar, duke rënkuar dhe duke u dridhur, saqë fëmija mendoi se ajo kishte ethe e temperaturë. Ajo ia preku ballin, i cili i digjej. Shkundi leckën nga shporta e saj, për t’i bërë plakës një kompresë të ftohtë dhe putra e ujkut ra në dysheme.
Por, nuk ishte më putra e ujkut. Ishte një dorë, e prerë në kyçin e dorës, një dorë e ashpërsuar nga puna dhe e njollosur nga pleqëria. Kishte një unazë martese në gishtin e tretë dhe një lyth në gishtin tregues. Nga lythi, nishani, ajo e njohu dorën e gjyshes së saj.
Ajo e tërhoqi çarçafin, por gruaja e moshuar u zgjua dhe sakaq filloi të përpiqej të luftonte, duke u çjerrë, klithur e ulëritur, duke bërtitur si një gjë e pushtuar nga djajtë. Por fëmija ishte i fortë dhe i armatosur me thikën e gjuetisë së të atit; ajo arriti të mbajë nën zap gjyshen e saj për një kohë të gjatë për të parë shkakun e etheve dhe zjarrmisë së saj. Kishte një trung të përgjakur aty ku duhej të kishte qenë dora e saj e djathtë si cung, tashmë prerë, e kalbur, e qelbëzuar.
Fëmija u ndje i kryqëzuar në vetvete, u përdrodh, qau dhe bërtiti aq fort sa fqinjët e dëgjuan, erdhën dhe hynë me nxitim. Ata e njohën përnjëherë lythin në atë dorë dhe e morën sakaq për thumbin, thithkën e një shtrige; e nxorën plakën, në ndërresat e saj, duke e zhvendosur, ashtu siç ishte, në dëborë me shkopinj, duke e rrahur kufomën e saj të vjetër deri në buzë të pyllit dhe e goditën me gurë derisa ajo u rrëzua e ra e vdekur.
Q’atëherë fëmija jetoi në shtëpinë e gjyshes së saj; ajo përparoi. /Gazeta “ExLibris”/