Site icon Telegrafi

“Njeri pa vlera”- Tifozët e Milanit paralajmërojnë hedhjen e kartëmonedhave false në drejtim të Donnarummas në San Siro

Ultrasit e Milanit thuhet se do të hedhin kartëmonedha false kur Gianluigi Donnarumma të kthehet të luajë në “San Siro” me Paris Saint-Germain.

Sipas mediumit italian Sport Mediaset, ultrasit përveç hedhjes së kartëmonedhave false, ata do të  veshin bluzat me numrin 71 kur Milani do të përballet me PSG-në në Ligën e Kampionëve të martën. Kjo do të jetë hera e parë që Donnarumma do të luajë përballë Milanit në “San Siro”.

Donnarumma iu bashkua PSG-së në vitin 2021 si lojtar i lirë pasi refuzoi të nënshkruante një kontratë të re me Milanin.

Ultrasit e klubit e akuzuan Donnarumman se po kërkon shumë para për të qëndruar në Milan, duke tradhtuar besimin që klubi i dha atij si një lojtar i ri.

Bluzat që ultrasit do të veshin i referohen numrit 71 në Smorfia Napoletana, një sistem i përdorur në Napoli për të kthyer ëndrrat dhe ngjarjet e jetës së përditshme në numra llotarie. Numri 71 do të thotë “njeri pa vlera”.

Që kur u largua nga Milani, portieri ka luajtur dy herë në San Siro me kombëtaren italiane dhe dy herë është sharë nga tifozët vendas. Pas humbjes me rezultat 3-0 të Milanit në Paris dy javë më parë, një fitore tjetër do të ishte një hap i madh drejt kalimit në fazën eliminatore.

Donnarumma kishte bërë debutimin me fanellën e Milanit në tetor të vitit 2015 në fitoren 2-1 ndaj Sassuolos./Telegrafi/

Exit mobile version