Telegrafi

Njëri nga trajnerët më të mëdhenj në histori, Lippi njoftoi pensionimin nga zeja e trajnerit

Ish-trajner i Italisë dhe fituesi i Kupës së Botës, Marcello Lippi, ka zbuluar se ai i ka dhënë fund punës së trajnerit duke vendosur për pensionim.

Lippi ka qenë pa punë që kur la pozicionin si trajner i kombëtares së Kinës në nëntor të vitit 2019 dhe lë një karrierë 30-vjeçare në këtë zeje.

Ai filloi si trajner i U19 në Sampdoria dhe ka kohë të paharrueshme te Atalanta, Napoli, Interi dhe Juventusi para se të bëhej trajner i Italisë në korrik të 2004.

Lexo po ashtu Lippi flet për trajnerët italianë, nga Conte te Gattuso dhe Inzaghi

72-vjeçari fitoi pesë Scudetto, një Coppa Italia dhe një titull në Ligën e Kampionëve me Zonjën e Vjetër, por arritja e tij më e madhe është Kupa e Botës 2006 me Azzurrët në Gjermani.

Lippi nuk tha që ai kishte mbaruar plotësisht me futbollin dhe shpreson të ‘jetë i dobishëm në role të tjera’ në të ardhmen.

“Unë përfundimisht kam mbaruar me punën e trajnerit. Është e drejtë, kaq mjafton”, ka thënë fillimisht Lippi për Radio Sportiva.

“Ndoshta mund të jem i dobishëm në role të tjera, le të shohim. Por asgjë deri në pranverë”, përfundoi italiani. /Telegrafi/