Site icon Telegrafi

Njëri nga të therurit me thikë në Milano është mbrojtësi Pablo Mari që luan te Monza

Mediume të shumta italiane kanë shkruar se lojtari i Monzas, Pablo Mari është një nga pesë personat e therur me thikë gjatë një sulmi në një supermarket pranë Milanos.

Incidenti ndodhi në supermarketin Carrefour në qendrën tregtare Milanofiori di Assago në periferi të Milanos.

Nga raportimet e para mësohet se janë goditur me thikë pesë persona, tre prej tyre janë në gjendje të rëndë. Të gjithë kanë plagë me thikë.

Një nga personat e goditur me thikë ka vdekur, i raportuar si arkëtar në supermarket.

La7 dhe AGI pretendojnë se njëri prej të plagosurve është mbrojtësi i Monzas, më parë i Udineses dhe Arsenalit, Pablo Mari.

Nuk dihet se në çfarë gjendje është, por Tuttomercatoweb pretendon se ai është i vetëdijshëm dhe ndodhet në spital, ku CEO i Monza, Adriano Galliani dhe trajneri Raffaele Palladino kanë shkruar pranë tij.

Një 46-vjeçar italian besohet se ka marrë një thikë nga raftet dhe ka filluar të godasë njerëzit në dyqan.

Agresori është arrestuar nga policia dhe është dërguar në mbajtje. Rasti nuk po trajtohet si sulm terrorist.

Pablo Mari është mbrojtës 29-vjeçar spanjoll i cili bëri tetë paraqitje në Serie A këtë sezon, duke shënuar një gol.

Ai është në huazim nga Arsenali me opsion për ta blerë në fund të sezonit, duke u kthyer në detyrim nëse Monza shmang rënien në Serie B. /Telegrafi/

Exit mobile version