Një burrë që e shtyu një ish-shefin e Eurotunnel në binarët e një metroje në Londër është shpallur fajtor për vrasje në tentativë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Robert Malpas, 91 vjeç, tha se ndjeu veten ‘duke fluturuar’ drejt binarëve në stacionin e Marble Arch, pasi Paul Crossley, 46, e shtyu nga prapa me të dyja duart.
Robert, u shpëtua nga një kalimtar heroik, Riyad El Hussani, i cili kërceu nga platforma për ta shpëtuar atë, pasi bordi elektronik tregoi se kishte vetëm një minutë kohë deri në ardhjen e trenit të radhës.
Si pasojë, industrialisti në pension thuhet se u la me legen të thyer dhe një dëmtim në kokë që kërkonte 12 qepje, pas sulmit më 27 prill.
Por, siç thuhet më tej, ky nuk është sulmi i parë i Paul Crossley.
Një pasagjer i dytë i metrosë, Tobias French, arriti të mbajë ekuilibrin e tij kur ai më parë ishte shtyrë nga Crossley në stacionin Tottenham Court Road.
E Crossley u ka thënë gjykatësve se viktimat e tij u zgjodhën në mënyrë të rastësishme, por pohoi se ai nuk kishte për qëllim të vriste ata.
Gjithsesi, ai është shpallur fajtor për dy akuza për vrasje në tentativë. /Telegrafi/