Drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, Anthony Fauci, u pyet sot se si njerëzit mund të jenë të sigurt se vaksina kundër COVID-19 është e sigurt kur u zhvillua kaq shpejt.
Sipas tij, vaksina u zhvillua me shpejtësi falë teknologjisë që posedojmë ne sot.
“Shpejtësia nuk ishte aspak sakrificë e sigurisë. Shpejtësia ishte pasqyrimi i përparimeve të jashtëzakonshme në shkencën e teknologjisë së platformës së vaksinave”, u shpreh Fauci për ABC.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Fauci deklaroi se kishte “investime të jashtëzakonshme”, për t’u shpërndarë vaksina sapo u vërtetua e sigurt dhe efektive.
“Pra, është e kuptueshme që njerëzit janë skeptikë në lidhje me shpejtësinë, por ne duhet të vazhdojmë theksojmë për sa i përket shpejtësisë se shkenca ishte jashtëzakonshme që na solli këtu”, u shpreh ai.
Ditë më parë SHBA-ja miratoi vaksinën e Pfizer-BioNTech për përdorim emergjent në vend, derisa pritet që edhe vaksina e Moderna-s të miratohet së shpejti, kjo pasi rregullatori shëndetësor tha se ajo ishte e sigurt dhe efektive.
SHBA-ja gjatë ditës së djeshme filloi vaksinimet e para në vend me vaksinën e Pfizer. /Telegrafi/