Nga: Rebecca Liu / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Nëse gjuha ofron të dhënat për kulturën e folësve të saj, atëherë përvoja e mësimit të valirianishtes së lartë [High Valyrian] të [serisë] Game of Thrones në [aplikacionin] Duolingo, ofron vizionet e një qytetërimi historik, përplot gjallëri, ku bufat përshkojnë qiejt, magjia është e bollshme, ndërsa aspekti i vdekjes përndjek përgjithmonë imagjinatën e të gjallëve. Mësoni të thoni “Gruaja po djersitet” përpara përshëndetjes më themelore “Tung”. Një karikaturë e çuditshme gazmore kërkon të përktheni “Të gjithë njerëzit duhet të vdesin, lamtumirë”. Dhe, sigurisht: “Ñuhyz zaldrīzesse gevī issi” (“Dragonjtë e mi janë të bukur!”).
E përshkruar në librat e George RR Martinit si gjuha e sundimtarëve të një perandorie dikur të madhe, që e zbuste dragoin, Valiria e Vjetër është krahasuar me Republikën Romake dhe valirianishtja e lartë me latinishten klasike. Gjuha merr jetë të plotë vetëm në vitin 2012, kur gjuhëtari David J Peterson e merr përsipër për sezonin e tretë të serisë televizive. Duke punuar me disa nga frazat e valirianishtes së lartë të përmendura në libër – emrat, vendet dhe frazën famëkeqe, “Valar Morghūlis” ( “Të gjithë njerëzit duhet të vdesin”) – Peterson e krijoi një gjuhë të tërë. Kursi Duolingo u lansua në vitin 2017.
Gjërat u rritën me shpejtësi mahnitëse. Petersoni, i përshkruar nga LA Times si “çuni i gjuhës së Hollivudit”, punon me orar të plotë për gjuhët e ndërtuara për televizion dhe për film. Akademikët e tjerë janë të përfshirë, duke e krijuar një lidhje të pamundur midis studiuesve të gjuhësisë dhe Hollivudit. Ajo që fillimisht ishte diçka e veçantë, tani është industri globale me një komunitet gjithnjë në rritje. Supozova se numri i atyre që mësojnë valirianishten në Duolingo ishte i vogël; kompania raportoi se në botë ka më shumë se 500 mijë nxënës të saj.
Ideja se realizimet e suksesshme fantastike kërkojnë jo vetëm krijimin e skenave, rekuizitave dhe kostumeve, por edhe gjuhë origjinale, fillimisht erdhi me klingonishten [Klingon], gjuhën jashtëtokësore në Star Trek që u krijua nga gjuhëtari Marc Okrand më 1984 (mund ta mësoni edhe në Duolingo). Para kësaj, “ideja ishte se nëse e keni një jashtëtokësor që flet një lloj gjuhe të ndërtuar, thjesht lëreni të gugojë”, thotë Paul Frommer, profesor i komunikimit në Universitetin e Kalifornisë Jugore. “Që nga klingonishtja, kjo tërësisht është e ndaluar”.
Në vitin 2005, Frommeri merr një email nga kompania e James Cameronit, që kërkonte një gjuhëtar për ta zhvilluar një gjuhë për një projekt fantastiko-shkencor të paemëruar. Frommer aplikoi, u takua me Cameronin dhe nisi punën në gjuhën që tani njihet si navishtja [Na’vi] e Avatar-it. “Jeta ime nuk ka qenë e njëjtë, që atëherë”, thotë ai.
Si e bën dikush një gjuhë nga asgjëja? “Nuk ishte fletë krejtësisht bosh”, thotë Frommer. Cameroni kishte disa kritere: donte që gjuha të ishte krejtësisht e re, të tingëllonte bukur dhe ai vjen me rreth 30 fjalë të vetat. Gjithashtu, duhej të merrej parasysh narracioni. Në filmin e parë të Avatar-it, protagonisti njerëzor e mëson me sukses gjuhën, kështu që navishtja do të duhej të ishte “diçka që mësohet nga njerëzit”. Tingëllon si gjë pa rëndësi, por Frommeri shpjegon se ishte thelbësore për ndërtimin e gjuhës: “Çdo gjuhëtar do të jetë në gjendje të dalë me një gjuhë logjike, por mund të jetë kaq jonjerëzore saqë asnjë qenie njerëzore nuk mundet ta mësojë”.
Me këta kufij të caktuar, vazhdon ai, “janë ca hapa mirë të përcaktuar, nëpër të cilat kalojnë shumica e njerëzve që e ndërtojnë një gjuhë”. Së pari, për ta përcaktuar se si do të tingëllojë – cili fjalim tingëllon mirë për t’u përfshirë dhe cili për t’u përjashtuar. Pastaj, “si do të duken foljet tuaja? Si do të duken emrat tuaj?” – që kërkon të mendosh për mbaresat e zakonshme të fjalëve dhe se si kohët i ndryshojnë fjalët.
Është përcaktimi i sintaksës dhe gramatikës, që duhet të mendohet, dhe në fund është “ndoshta pjesa më interesante”: të merren parasysh “marrëdhëniet midis gjuhës dhe kulturës, gjuhës dhe mjedisit”. Frommeri doli me fjalët për ta pasqyruar rëndësinë e ekologjisë për navishten, dhe meqenëse ceremonitë janë të rëndësishme në kulturë, gjithashtu e krijoi një “regjistër” të ndryshëm për fjalët e folura në atë kontekst. Ashtu siç do t’i përdornim “nënën dhe babanë” mbi “mamin dhe babin” në një mjedis më formal, navishtja ka fjalë të ndryshme për “unë” dhe “ti” gjatë ceremonive.
Është punë jashtëzakonisht e detajuar, diçka që nuk do ta vërejnë shumica e shikuesve. “98 për qind e shikuesve nuk do ta dinë kurrë 99 përqindëshin e asaj që bëjmë ne”, thotë gjuhëtarja Jessie Sams, partnerja e Petersonit në Game of Thrones (si në jetë ashtu edhe në punë). Që atëherë, të dy ata kanë zhvilluar gjuhët në realizimet Dune, The Witcher dhe Vampire Academy. “Nuk ka rëndësi nëse njerëzit nuk e vënë re në atë kohë”, thotë Peterson, “se do të jetë gjithmonë aty. Dhe, kështu, në ndonjë moment, nëse dikush vendosë ta analizojë atë, vëren se a shkon apo jo” (kujton se e kishte parë një episod të Star Trek-ut, në të cilin aktori që luante një personazh shumë inteligjent e shqipton gabimisht një fjalë.)
Ndryshon shumë përfshirja e tyre në projekte, nga puna me trajnerët e dialekteve, te takimet me aktorët ose të qenit në xhirime. Në mënyrë ideale, kanë gjashtë muaj deri në një vit për ta krijuar një gjuhë; më shpesh atyre u jepen dy ose tre [muaj]. Si e vlerësojnë kërkesën e vazhdueshme për shërbimet e tyre? “Game of Thrones ishte [projekt] aq i madh saqë të gjithë donin të punësonin ata që punonin në Game of Thrones”, thotë Petersen. “Kjo është arsyeja se pse e mora punën time të dytë, të katërtën dhe të pesëmbëdhjetën”.
Pavarësisht shpërthimit të interesit për gjuhët e ndërtuara – një term që krijuesit priren ta preferojnë mbi gjuhët “artificiale”, duke qenë se disa nga to tani kanë folës shumë realë dhe shumë të rrjedhshëm – dikush mund të pyesë se pse dikush do ta mësojë një gjuhë nga fantashkenca e jo një që gjerësisht flitet në botë, si dhe nëse kjo i dëmton gjuhët e rrezikuara.
Përgjigja është më e ndërlikuar. Klingonishtja, navishtja dhe valirianishtja e lartë janë pjesë e vogël në punën më të gjerë të krijuesve të gjuhës, të cilët kanë interes më të përgjithshëm për mësimin, eksperimentimin dhe ruajtjen e gjuhës. Gjuha e ndërtuar më e folur, Esperanto, u krijua në vitet 1800, me shpresën për të qenë mënyrë universale komunikimi. Dhe, ndoshta krijuesi më i famshëm i gjuhës, JRR Tolkien, nisi të shpikte gjuhët që në moshën 13-vjeçare, në një jetë të karakterizuar nga kurioziteti i pafund për fuqinë e fjalëve në gjithë tokën (e mesme), duke e studiuar greqishten e vjetër, anglishten e vjetër, nordiken, gotiken, uellsianen dhe finlandishten.
Krijuesit e gjuhëve me të cilët fola, kanë një listë të habitshme të gjatë të atyre që i flasin rrjedhshëm, ndërsa Okrandi, krijuesi i klingonishtes, si studiues u fokusua në gjuhët vendase amerikane. Christine Schreyer, antropologe gjuhësore në Universitetin e Kolumbias Britanike, e cila i ka krijuar gjuhët për filmat Justice League dhe Man of Steel, ra në vëmendjen e Hollivudit pas publikimit të një projekti kërkimor për njerëzit që mësonin navishten.
“Më kujtohet se dikush tha: ‘Po e mësoj navishten sepse ndiej se mundem, por nëse do të përpiqesha të mësoja [gjuhën e popullsisë] navaho, që është gjithashtu shumë interesante dhe komplekse, do të ndihesha sikur është një përvetësim kulturor”, thotë ajo. Pastaj ka motivime më pragmatike: “Kishte shumë rusë. Thanë se po e mësonin sepse titrat nga Avatari ishin të tmerrshëm, saqë duhej ta mësonin navishten për ta kuptuar ngjarjen”.
Schreyer punon në rigjallërimin e gjuhës, me komunitetet indigjene tlingit në Kolumbian Britanike dhe së fundmi ka hulumtuar se si modelet e adhuruesve dhe të komunitetit në botën e gjuhëve të ndërtuara, mund të aplikohen për gjuhët e rrezikuara: rezultati përfshin një faqe interneti për mësimin e gjuhës tlingit, të modeluar sipas asaj për navishten. “Të rinjtë e komunitetit janë adhurues të gjuhës së tyre”, thotë Schreyer, dhe “po i bëjnë të gjitha ato gjëra që adhuruesit e navishtes i kanë bërë më parë”. Si profesoreshë universiteti, sheh nga afër interesimin e shtuar për gjuhët e ndërtuara: një lëndë që ajo mbajti vitin 2010, kishte nëntë studentë. “E kemi mbajtur çdo dy vjet, që atëherë, dhe është gjithmonë plot [me studentë]. Kam studentë që më thonë se kanë ardhur në universitet për të qenë në atë lëndë me mua”.
Hollivudi, pra, është vetëm një pjesë e vogël e këtij rrëfimi. Niveli i plotë i botës së gjuhëve të ndërtuara dhe modelet dhe projektet e ndryshme të saj, bëhen më të dukshme kur e shikoj filmin dokumentar të realizuar rreth këtij komuniteti, Conlanging: The Art of Crafting Tongues. Të rriturit nga e gjithë bota i kujtojnë gjuhët që krijuan si fëmijë, në dhomat e gjumit; një artist krijon vizatime duke përdorur një sistem shkrimi të çerokive të ndërtuar në vitet 1800; një grua provon nëse është e mundur të krijohet një gjuhë tërësisht pa folje.
“Nuk janë më thjesht filma të aventurës jashtëtokësore”, thotë Schreyer për kërkesat që vijnë nga industria e zbavitjes, duke përmendur gjuhën parahistorike njerëzore që e zhvilloi për filmin fantastiko-shkencor Alpha të vitit 2018. Përveç kësaj, larg joshjes së ekranit të madh, thotë ajo, “njerëzit gjithmonë kanë krijuar gjuhë. Tashmë bëhet në mënyrë më të haptë”. /Telegrafi/