Njerëzit që nuk mund të përballen me humbjen e kafshëve të tyre shtëpiake po përdorin një zgjidhje jokonvencionale dhe të shtrenjtë – klonimin e kafshëve shtëpiake.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, John Mendola, një oficer policie i New York-ut iu drejtua praktikës së pazakontë kur kafsha e tij shtëpiake u diagnostikua me kancer.
Mendola kërkoi ndihmën e kompanisë me bazë në Teksas të quajtur “ViaGen Pets and Equine”, e para dhe e vetmja firmë amerikane që ofron klonimin komercial të qenve dhe maceve.
Shërbimi i tyre shtrihet edhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Që nga viti 2018, ViaGen ka bashkëpunuar me Gemini Genetics me bazë në Britani për të ofruar shërbime të ruajtjes së indeve të kafshëve dhe qelizave për qëllime bankare gjenetike, duke përfshirë klonimin e qenve, klonimin e maceve dhe klonimin e kuajve.
“Ne ofrojmë një shërbim lider në botë të ruajtjes gjenetike, në bashkëpunim me kompaninë kryesore të klonimit të kafshëve shtëpiake, ‘ViaGen Pets and Equine’”, thuhet në faqen e internetit të kompanisë.
Laboratori në Mbretërinë e Bashkuar pretendon se “pasi të ruhen mostrat e kafshës suaj, mund të dërgohen në mënyrë të sigurtë në ‘ViaGen Pets and Equine’ për të përfunduar procesin e klonimit të kafshëve shtëpiake”.
Qeni i parë i klonuar në Britani u lind në vitin 2014 dhe u përshkrua si “humbje qesharake e parave” nga gjenetistët.
Viagen i kërkon 50 mijë dollarë për të klonuar një qen, 30 mijë dollarë për një mace dhe 85 mijë dollarë për një kalë. /Telegrafi/