Telegrafi

Njerëzit e tendës

Greva e ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave tashmë ka hyrë në vitin e dytë të saj. Të lodhur nga mosha dhe kushtet e renda në tendë, ish-punëtoret po kërkojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që u jep të drejtë të përfitojnë nga privatizimi i kësaj ndërmarrjeje shoqërore.

Mirëpo, edhe pas kësaj greve maratonike asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket realizmit të kërkesës së tyre. Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave thonë se askush nga zyrtarët qeveritarë, nuk e qajnë kokën, madje as nuk kthehen mbrapa, të paktën për të shikuar nga afër se ç’po ndodh me fatin e këtyre njerëzve, ku shumica prej tyre janë nën moshën 68-vjeçare.

Në tendën e vendosur para Qeverisë ata kanë hyrë në ditën e 384-të. Grevistët thonë se janë të dëshpëruar me Qeverinë e Kosovës, meqë nuk ua ka realizuar premtimet e dhëna.

Njazi Asllani, anëtar i Këshillit Grevist, ka thënë për gazetën “Zëri” se qysh prej themelimit të institucioneve të reja janë mbi 30 kërkesa kanë adresuar për të takuar me përfaqësuesit e institucioneve, mirëpo deri më tani këto kërkesa kanë hasur në veshë të shurdhër. Por, Asllani paralajmëron protesta më radikale.

“Deri më tani janë afër 30 letra që kemi adresuar te institucionet tona me përmbajtje që të takohen me neve, pasi që është bërë një kohë e gjatë e grevës. Përveç përfaqësueseve të institucioneve ne së fundmi i kemi drejtuar me një letër edhe prokurorit të Shtetit, si dhe shefit të Bashkimit Evropian për Kosovë, Samuel Zhbogarit. Nëse nuk i përmbushin kërkesat tona, atëherë ne do të përdorin metoda të tjera ndoshta edhe do të shkojmë përtej ligjit” ka thënë ai.

Edhe Ahmet Sylejmani, grevist, ka thënë se planifikojnë të bëjnë protesta më radikale deri në realizmin e kërkesës së tyre që është shlyeja e borxhit mbi 25 milionë euro për 912 punëtorët, si paga të papaguara. Ai thotë se temperaturat e larta brenda në tendë kanë bërë që çdo ditë e më shumë situata brenda në tendë të vështirësohet. “Kushtet atmosferike sidomos tash temperaturat e larta kanë ndikuar në gjendjen shëndetësore të grevistëve.

Shumica e grevistëve kanë vështirësi në aspektin kardiovaskular. Pastaj edhe mungesa e kushteve brenda në tendë ka bërë që me vështirësi të mbahej higjiena sepse temperaturat e larta dhe kundërmon erë e keqe brenda në tendë. Por këto kushte tona duhet ta zgjojnë ndërgjegjen e institucioneve tona dhe t’i kryejnë obligimet, se për këtë arsyeje janë institucionet që paguhen nga populli, të cilat partecipojnë dhe e kanë obligim ligjor t’i japin llogari popullit e në këtë rast Fabrikës së Gypave. Por nëse kërkesat tona nuk realizohen ne do t’i radikalizojmë protestat, le të na fusim në burgje se prej kësaj kërkesës sonë ne nuk do të heqim dorë deri në realizimin e kërkesave”, ka thënë ai. Ndërsa në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, e cila është përgjegjëse për ndarjen e mjeteve, kanë thënë se janë duke i bërë përgatitjet e duhura nga ana teknike në mënyrë që posa të formohet ky Bord të bëhet pagesa.

“Ky rast do të paraqitet për diskutim në Bordin e Drejtorëve posa të funksionalizohet ky organ. Për t’u ekzekutuar pagesat e kreditorëve, në mesin e të cilëve edhe për punëtorët e Ndërmarrjes Shoqërore “Fabrika e Gypave”, sipas Nenit 14.7 të Ligjit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit duhet të merret vendimi në Bordin e Drejtorëve të AKP-së, ndërkaq Bordi aktualisht nuk është funksional. Agjencia është duke bërë përgatitjet e duhura në mënyrë që posa të emërohet ky organ dhe të krijohen kushtet ligjore, Bordi i Drejtorëve do të informohet dhe do t’i propozohet rasti për shqyrtim”, thuhet në përgjigjen e AKP-së dhënë gazetës. /Zëri/Telegrafi/