Telegrafi

Njerëzit ikin më së shumti nga Siria, Kroacia, Kosova… (Foto)

Forumi Ekonomik Botëror (World Economic Forum), ka publikuar të dhëna shqetësuese për vendet me rënien më të madhe të numrit të njerëzve në botë.

Kroacia gjendet në mënyrë dramatike në vendin e gjashtë, së bashku me Sirinë e shkatërruar dhe Kosovën, transmeton Telegrafi.

Në listë prin Andorra, por meqenëse Andorra ka më pak se 80 mijë banorë, ikja e secilit person përbën problem të madh.

Njerëzit në mënyrë masive braktisin vendet e tyre kur gjendja e tyre bëhet e vështirë – për shkak të krizës ekonomike dhe kërcënimit të jetës së tyre, siç është edhe rasti i Sirisë që është shkatërruar nga lufta.

Njerëzit janë duke u larguar nga Porto Riko në mënyrë masive, për shkak të recesionit shumëvjeçar dhe përqindjes së madhe të papunësisë. Sa i përket Lituanisë, ky vend ka regjistruar një numër të madh të qytetarëve që janë larguar për të shkuar në Britani të Madhe.

Në krye të kësaj liste është Andorra, popullsia e të cilës është zvogëluar për pothuajse një të pestën gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, numri i banorëve në Andorrë është zvogëluar për 15 mijë nga viti 2009 deri më 2015, kurse vetëm gjatë vitit 2015 është zvogëluar për 3.2 përqind.

Në vend të dytë renditet Porto Riko, që para dy viteve ka pësuar rënie të numrit të banorëve për rreth 1.7 përqind, kurse pas këtij vendi është pozicionuar Siria e prekur nga lufta, transmeton Telegrafi.

Kosova dhe Lituania kanë pasur rënie të numrit të banorëve nga 1.1 në 0.9 përqind, derisa Kroacia ka zënë vendin e gjashtë me një rënie prej 0.8 përqind.

Sipas Forumit Ekonomik Botëror, vendet e Evropës Lindore dhe të ish-Bashkimit Sovjetik janë vendet me rënien më të madhe të popullsisë për shkak të nivelit të ulët të natalitetit dhe emigracionit të shkaktuar nga problemet ekonomike.

Por, në listë është edhe Siria e cila pothuajse është shkatërruar e tëra nga lufta pesëvjeçare.

Ngecje ka edhe Kosova, si shteti më i ri, që vazhdimisht po ka probleme me fqinjin e saj Serbinë që nuk e ka njohur pavarësinë e këtij vendi. /Telegrafi/