Samiri është një i afërm i imi nga Drenica. Ai është 19 vjeç. I përket një familje të varfër ku i vetmi burim i të ardhurave në shtëpi është një pagë (diku 100 euro) që e merr babi i tij si mirëmbajtës i shkollës se fshatit. Për shkak kushteve ekonomike, Samiri vjet nuk mundi të shkoj në fakultet, edhe pse e kreu me sukses testin e maturës. Në vend të kësaj zgjodhi që të kërkoj punë. A gjeti punë ? Gjeti e s’gjeti. Krejt vera i kaloi duke punuar ndërtimtari, sa të një firmë, sa tek tjetra, për 10 euro në ditë. Gjithçka në rregull, sikur këto para t’i kishte marrë me kohë. Por, kjo nuk është tema pse mu kujtua Samiri.
Para ca kohe ai filloi të punojë të një automekanik nga Drenasi. Ky i fundit i kishte premtuar punësim afatgjatë, nëse tregohet i suksesshëm gjatë kohës provuese prej një muaji. Dhe, djaloshi entuziast e nisi punën me shumë përkushtim. Ai po mësohej shpejt dhe gjasat për ta fituar një vend pune “serioze” ishin goxha të mëdha.
Një ditë e takova fare rastësisht Samirin. Dukej i dëshpëruar. Menjëherë me vajti mendja ta pyes se si po kalon në punë?
– E kam lënë – më tha
– Pse? – e pyeta më habi.
– S’u morëm vesh për pagë – tha ai.
– Po sa paguheshe – e pyeta sërish
– 50 euro.
– 50 euro në javë…!
– Jo, jo, 50 euro në muaj – ma ktheu Samiri që gati po i shpëtonin lotët.
A është e mundur thash! Të punosh prej orës 7 të mëngjesit deri në 7 të mbrëmjes për çdo ditë, 6 ditë në javë, me gjithë ata pluhur, vajra e pesha për vetëm 50 euro në muaj. Këtë s’e kapë logjika.
Albani është një kushëri i imi i largët, 23 vjeç. Fati i tij është pak a shumë si i Samirit. Për dallim nga ky i pari, ai ka edhe një talent – këndimin. Fatkeqësisht, kushtet e dobëta ekonomike nuk po i japin mundësi ta zhvillojë e as të përfitojë nga talenti i tij. Kështu që tash Albani punon kamerier në një kafeteri të Klinës. Asgjë e pazakontë për mjedisin tonë, sikur të merrte një pagë te dinjitetshme.
– Sa paguhet – do thoshe ti.
– Beso apo jo, 2 euro…
– Në orë….
– Jo, jo mik i dashur në orë. 2 euro në ditë .
Të duket e pabesueshme, po mund ta pyesim Albanin, ai është gjallë. Me një fjalë punon veç për bukën e gojës.
Blerimi është një bashkëfshatar i imi . Ai është më i vjetër se dy personazhet që i përmenda më lartë. Nuk është vetëm mosha që e dallon Blerimin nga Albani e Samiri, por edhe kushtet ekonomike. Ai ka një shtëpi të mirë, një veturë të mirë, vishet me stil, bën qejf. Shpesh në fundjava shkon në Shqipëri, ndërsa nuk e lëshon pa e përcjellë asnjë ndeshje të kombëtares sonë – kudo qoftë. Sigurisht që jeni kurioz ta dini se ka i merr gjithë këto para. Ju betohem se në mënyrë të ligjshme dhe me punë. Në Kosovë? Po, po, në Kosovë. Nuk është biznesmen. Nuk ka fituar loto, as që i ka lënë i ati ndonjë trashëgimi.
E çka punon pra atëherë?
Ja, po ju tregoj. Ai ka një post të lartë në një kompani publike, mjaft profitabile në Kosovë.
Me mirë mos më pyet se cilat janë detyrat e tij që paguhet kaq shumë. Betohem që nuk i di as ai. E zë ngushtë nëse ia jep një letër të bardhë përpara dhe i thua përshkruaje çka punon gjatë një dite pune.
Por, kjo tekefundit nuk ka rëndësi. E rëndësishme është se djali po bën jetë. S’thuhet kot se Kosova është vend i mundësive të mëdha. Dikush bile le të ha.