Telegrafi

Njëqind vjet nga udhëtimi i Justin Godartit

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt një konferencë për Justin Godartin (26 nëntor 1871 – 12 dhjetor 1956), për rolin e tij në një kohë të vështirë kur Franca kishte synime dashakeqe dhe bënte që imazhi i Shqipërisë të rrethohej nga një propagandë e dëmshme dhe paragjykuese.

“Në shënimet e tij për Shqipërinë në vitet 1920, Godart i mbronte shqiptarët si njerëz që e kishin vetëdijen të përparuar dhe luftonin për pavarësinë e tyre si çdo popull tjetër. Ai shkruante për cilësitë e mira të shqiptarëve dhe vëllazërinë midis myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve, ku e përshkruante mendësinë fetare të lidhur me cilësitë europiane të tolerancës”, tha ka thënë akademik Pëllumb Xhufi në konferencën shkencore, “100 vjet nga udhëtimi i Justin Godart në Shqipëri”.

Godarti e mbrojti çështjen e Shën Naumit në Lidhjen e Kombeve dhe e quajti fatkeqësi që fuqitë e mëdha ia dhanë atë Serbisë, pa të drejtë. Më 24 maj 1921, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve fal edhe kontributit të tij.

“Në materien e tij deduktohej se Shqipëria ishte viktimë e ambicieve territoriale të fqinjëve të saj dhe përgjegjësia për vështirësitë që shfaqeshin për zgjidhjen e situatës i atribuohej politikës kundërshtuese të selive qendrore të Athinës dhe Beogradit. Edhe pse politikani francez ishte i vetëdijshëm se jo të gjithë do të mirëprisnin dhe pranonin përmbajtjen e raportit, dhe se kritikat apo kontestimet do të ishin intensive, ai preferoi të qëndronte krah Shqipërisë dhe të vërtetës së saj, i bindur se vizioni i tij për çështjen shqiptare apo për të drejtën dhe parimet juridiko-ndërkombëtare do të prevalonin në çdo interpretim dhe vendim të asaj që quhej “bërthama vendimmarrëse” e diplomacisë europiane”, ka thënë Esmeralda Kolaneci

Profesori Frederik Stamati mbajti një kumtesë për dhuratat e qeverisë franceze dhe Muzeut të Luvrit për Muzeun Kombëtar në vitin 1923 dhe flamurin që ngriti Themistokli Gërmenji në 1916-ën për të shpallur autonominë e Korҫës, të cilën në Shqipëri e solli Justin Godart.

Justin Fransua-Pierre Godart lindi në Lion në vitin 1871. Ishte përfaqësues i senatit francez dhe anëtar i Misionit të Lidhjes së Kombeve në vitin 1912, për Ballkanin; kryetar i Fondacionit “Kyri”; deputet i zgjedhur qysh në vitin 1906 e deri kur u mbyll Parlamenti në vitin 1940 në Francë. Ishte edhe Ministër i Punës dhe i Higjienës në vitin 1924. Me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë në vitin 1937, mbreti Zog e ka dekoruar me Urdhrin e Skënderbeut.

Godart ishte i zgjedhur nga miqtë francezë të Shqipërisë, president nderi i shoqatës Francë-Shqipëri. Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka vlerësuar Godartin duke e dekoruar me “Urdhrin e lirisë të klasit të parë”. /atsh/