Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strasburg shënon 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës kanë marrë pjesë ambasadorë të shteteve anëtre në KiE, eurodeputet, personalitete të njohura ushtarake dhe politike, si dhe komuniteti kosovarë që jeton në Strasburg dhe rrethinë.
Me ftesë të ambasadores Mimoza Ahmetaj, prezent ishte dhe deputeti Ismet Beqiri, anëtar zëvendësues në delegacionin e Kuvendit të Kosovës pranë APKiE-së, si dhe Astrit Zemaj, zv. drejtor i drejtorisë së Përgjithshme në MPJ.
Ambasadorja Ahmetaj iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti, ku tha se në këtë përvjetor, kujtojmë jo vetëm ditën kur lindi shteti ynë, por në të njëjtën kohë i nderojmë të gjithë ata që bënë këtë ditë të mundshme, gjenerata të tëra që ndërtuan vizionin e një vendi të pavarur.
Ahmetaj shtoi se gjatë gjithë kësaj kohe, Kosova ka arritur shumë suksese dhe ka shënuar historinë e saj të shkurtër në skenën ndërkombëtare.
“Kosova ka arritur të nënshkruaj marrëveshjen e parë me BE-në. Në këtë kontekst, do të dëshiroja të falënderoj qytetin e Strasburgut dhe autoritetet e tij si nikoqir të shumë ngjarjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me Kosovën, përfshirë nënshkrimin e MSA-së. Gjatë vitit që lamë pas, FSK-ja u shndërrua në Forcë të Armatosur Ushtarake, dhe kjo na bënë krenarë për arritjet dhe sukseset tona por edhe të vetëdijshëm për detyrat dhe sfidat tona përpara”, tha ajo.
Ambasadorja Ahmetaj në vijim nënvizoi se ky vit shënon 7 vjetorin e komunikimit të drejtpërdrejtë të Kosovës me Këshillin e Evropës, si dhe shfrytëzoi rastin të falënderoj sekretarin e përgjithshëm Jagland për kontributin dhe angazhimin e tij të drejtpërdrejtë, si dhe institucionet e Kosovës për gatishmërinë për të marrë përgjegjësi në procesin e ndërtimit të shtetit.
“Për të gjitha këto vite kemi pasur një rritje të vazhdueshme të bashkëpunimit dhe arritjeve të përbashkëta, përmes shumë programeve për sundimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut, çështjet e pakicave, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër dhunës së grave, anëtarësimin në Komisionin e Venecias dhe CEB, pjesëmarrja e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në APKiE. Dhe, së fundmi, Gjykata jonë Kushtetuese i ka dhënë dritën jeshile Parlamentit për të përfshirë Konventën e Stambollit në Kushtetutën tonë” tha ajo.
Duke u ndalur tek prioritetet e shtetit në rrafshin ndërkombëtar, ambasadorja Ahmetaj u shpreh se përveç thellimit të lidhjeve ekzistuese, po kërkojnë anëtarësimin e plotë dhe partneritet të barabartë me KiE.
Sipas saj, kjo vazhdon të mbetet prioriteti kryesor në agjendën e politikës së jashtme së bashku me anëtarësimin në OKB, BE dhe NATO.
“Ky vit do të shënojë jo vetëm 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 70 vjetorin e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut por mund të sjellë gjithashtu shumë mundësi për tërë rajonin e Ballkanit. Është koha për ide të reja, nisma dhe vendime që duhet të ndërmerren dhe është momenti kryesor për traktat të paqes, pajtim dhe prosperitet mes kombeve dhe vendeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ajo.
Në fund të fjalës së saj, ambasadorja Ahmetaj ftoi të pranishmit të ndjekin programin artistik, me performancën e pianistes Lule Elezi dhe sopranos Adelina Paloja.
Për mysafiret e ftuar u shtrua edhe një koktej rasti me gatime tradicionale të përgatitura nga stafi i Konsullatës së Kosovës, si dhe pije nga Kosova.