Site icon Telegrafi

Njëherë e refuzoi ftesën, por pastaj shkoi dhe u zgjodh ‘Sportisti i vitit” – Gjonbalaj me rrëfim interesant

Malsor Gjonbalaj ka qenë i ftuari i radhës në podcastin “Arena e Yjeve” në Telegrafi, ndërsa ka rrëfyer për shumë ndodhi interesante për karrierën e tij si futbollit, por edhe pas kësaj periudhe.

Mes tjerash, në një bisedim me gazetarët Lavdim Pireva dhe Romak Zeqiri, ish-futbollisti, që tani është profesor universitar, ka rrëfyer se si e ka pranuar çmimin e ‘Sportistit të Vitit’ në vitin 2005.

Gjonbalaj rrëfeu se as që ishte përgatitur për atë çmim, madje as që kishte shkuar në ceremoni fillimisht.

“Ka qenë viti 2005 dhe luaja në Prishtinë në atë kohë, megjithatë klubi dhe Komuna (e Prishtinës) nuk është se kanë pasur raporte të këqija, por për shkak të disa rrethanave jo fort miqësore, kur na i dërguan ftesat për pjesëmarrje në ceremoni për disa nga futbollistët (Laureatët e Vitit), ne kishim hamendje se a do të shkonim apo jo dhe vendosa mos të shkoj”, ka thënë fillimisht ish-futbollisti në “Arena e Yjeve”.

“Derisa isha duke pirë kafe me disa kolegë, me ceremoninë që mbahej në Grand Hotel, më thërret në telefon Gani Kosumi dhe më thotë: ‘Ku je, nuk po të shoh. Eja se ke fituar një çmim’”.

 

“Kur shkoj në sallë, ishte e mbushur plotë. Filluan t’i shpallin fituesit, si klubi më i mirë në kategorinë e meshkujve dhe femrave dhe më pas edhe futbollistët më të mirë”.

“Erdhi çmimi për numri 10-të dhe unë po bëhesha gati të shkoja ta merrja si futbollist i ri, por as aty nuk mu thirr emri, ndërsa nga fundi mendova se nuk kisha fituar çmim”.

“Komisoni kishte vendosur në përbërje prej 30 vetë (që t’ia dhuronte çmimin e lojtarit të vitit), por unë as që isha përgatitur, as që isha veshur për ceremoninë dhe mora një çmim që nuk ishte aspak i pritur”, shtoi më tej Gjonbalaj.

Nëse dëshironi që ta ndiqni podcastin e plotë me mysafirin e ftuar, më poshtë gjeni linkun e YouTube.

Këtë podcast mund ta ndiqni edhe në TV Dukagjini çdo të shtunë nga ora 18:10, ndërsa nuk do të ishte i mundur pa përkrahjen e sponsorëve Patos dhe DentFix. /Telegrafi/

 

Exit mobile version