Një zyrtare e lartë e Koresë së Veriut e quajti nënpresidentin e Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, “budalla” dhe paralajmëroi për “përplasje të mundshme bërthamore” nëse diplomacia dështon.
Choe Son-hui tha se Phenjani “nuk do ta lusë SHBA-në për dialog” e as “nuk do të përpiqet ta bindë atë të ndjekë bisedimet”.
Në ditët e fundit, të dyja palët kanë paralajmëruar se takimi i paraparë për 12 qershor midis presidentit amerikan, Donald Trump, dhe liderit veri-korean, Kim Jong-un, mund të shtyhet ose të anulohet.
Phenjani tha se do ta rishqyrtojë pjesëmarrjen nëse SHBA këmbëngul që ai të heqë dorë nga armët bërthamore në mënyrë të njëanshme.
Choe Son-hui ka qenë e përfshirë në disa ndërveprime diplomatike me SHBA-në gjatë dekadës së fundit.
Në një artikull të publikuar në agjencinë veri-koreane të lajmeve KCNA, ajo tha se Pence ka bërë “deklarata të shfrenuara dhe të pahijshme” në media në ditët e fundit, përfshirë komentet e tij se Koreja e Veriut “mund të përfundojë si Libia”.
Kjo është referencë për ish-udhëheqësin libian, Muammar Gaddafi, i cili është pajtuar të dorëzojë armët bërthamore në vitin 2003 dhe më vonë është vrarë nga rebelët e mbështetur nga Perëndimi. /Rel/