Telegrafi

Një zjarrfikës ka vdekur nga përmbytjet në Gjermani

Një zjarrfikës vullnetar ka vdekur gjatë një operacioni shpëtimi shkaku i shiut të dendur dhe përmbytjeve në jug të Gjermanisë, ka njoftuar policia lokale.

Siç raportohet, katër punonjës të urgjencës po përpiqeshin të shpëtonin njerëzit e bllokuar nga përmbytjet pranë Pfaffenhofen në Bavari.

Tre nga ekuipazhi janë tërhequr të sigurtë, ndërsa i katërti, një 42 vjeçar, është gjetur i vdekur në ujë, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

“Jam i pikëlluar nga vdekja e një zjarrfikësi në Pfaffenhofen. Mendimet e mia janë me familjen dhe kolegët e tij”, tha kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Bëhet e ditur se edhe një operacion shpëtimi është zhvilluar për të gjetur një tjetër zjarrfikës 22 vjeçar, vullnetar në Offingen.

Lexo po ashtu Pas Gjermanisë, në rrezik për përmbytje edhe Italia

Ndryshe, shirat e dendur në Gjermani kanë shkaktuar përmbytje në shtetet jugore të Baden-Württemberg dhe Bavarisë.

Operatori gjerman hekurudhor, Deutsche Bahn, tha se lidhja hekurudhore midis Shtutgartit dhe Augsburgut ishte mbyllur për shkak të motit të rëndë.

Gjithashtu, disa zona në Bavari kanë shpallur gjendje emergjente për shkak të nivelit të lartë të ujit.

Shërbimi gjerman i motit ka paralajmëruar për më shumë shira të dendur në Gjermani. /Telegrafi/