Site icon Telegrafi

Një zgjidhje plus për LDK-në

Lidhja Demokratike e Kosovës, partia më e madhe opozitare në vend duhet ta ketë një zgjidhje plus, sidomos në situatën në të cilën ndodhet.

Është e lehtë të komentosh nga anash, është e thjeshtë të vrojtosh, por nuk është as e lehtë të japësh alternativa, rrugë që çojnë drejt një zgjidhje tjetër, që do të jetë më se e pranueshme për të gjithë brenda LDK-së, por edhe jashtë saj.

Isa i lodhur me të lodhëtit

Isa, LDK-ja, Shpresa. Të gjithë shpresonin në ditë më të mira për LDK-në, të gjithë shpresonin në një unifikim të fortë të LDK-së, të gjithë shpresonin në Isën, por të gjithë janë dëshpëruar në Isën.

Isa, u tregua i lodhur nga politika dhe u kap me të lodhëtit. Isa, u kap me njerëzit që kanë dështuar në Komunën e Prishtinës, mendonte të bënte reforma edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës, e ata njerëz siç u treguan të lodhtë në Komunën e Prishtinës u treguan edhe në LDK.

Isa, e kritikonte qeverinë, por jo më. Isa, kishte plane për reforma në LDK, por jo më.
Kësisoj, Isa tani po lufton në fund dhe po i shfrytëzon edhe njerëzit e fundit dhe mjetet e fundit për të dëshmuar se ka plane për LDK-në, madje edhe vetë njerëzit e tij si Arben Gashi, dhe këta analistët e “pavarur”, si Enver Robelli po flasin në vend të tij.

Pse flet Arben Gashi, e dimë të gjithë, sepse është piun i Isës, që e shfrytëzon sa herë që donë dhe si të tillë edhe e ka shpërblyer, ndërsa mediet bëjnë lojë me të, duke e quajtur herë si të fortë, e herë si të bukur. Por, ajo që është më se e rëndësishme është fakti se ai po e kryen më shumë përgjegjësi të lartë, punën e argatllëkut të Isa Mustafës, si në Komunë, njashtu në Kuvend, por edhe në LDK.

Pse shkruan e flet Enver Robelli, e dimë të gjithë, sepse kanë qarkulluar fjalët se Isa Mustafa i ka premtuar Veton Surroit që do ta kandidojë për president të vendit. Një gjë e tillë u pa që është e pamundshme dhe e papranueshme për vetë LDK-në, por edhe për votuesit e saj. Kësisoj, fjalët që dilnin në opinion, që pohonin se Veton Surroi mund të jetë kandidat i LDK-së për president ishin vetë zërat e brendshëm të LDK-së, që donin ta sprovonin opinionin.

Por, edhe Isa Mustafa edhe Enver Robelli, edhe Veton Surroi tashmë duhet ta kenë të qartë se LDK-ja, e ka një dhe të vetëm kandidatin për president, prof. Dr. Fatmir Sejdiun, dhe kësisoj duke ia pasur frikën këtij të fundit, Enver Robelli flet zi e terr në adresë të ish-presidentit Sejdiu, duke i bërë argatllëk të mirë Isës e Vetonit.

Prandaj Isë, e dimë se je lodhur, por më tepër të kanë lodhur të lodhëtit, ata me të cilët po mendon të krijosh politika. Por ata nuk dinë dhe pak marrin vesh nga politika, vetëm se munden që t’i përcjellin mirë mesazhet që ua jep, e në këtë formë nuk reformohet partia.

Tashmë, duhet të kthehemi tek fillimi, cila është zgjidhja plus për LDK-në?

Zgjidhja plus, në këtë rrafsh edhe më e mira është që prof. Dr. Fatmir Sejdiu të jetë kandidat për president nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe një gjë e tillë të dihet prej tani. Kësisoj i ndihmohet LDK-së, kësisoj fuqizohet partia duke i unifikuar ata që janë brendapërbrenda, e jo duke u premtuar të jashtmëve.

LDK-ja kurrë nuk do të reformohet me argatët e Isës, e aq më pak me njerëzit e Komunës së Prishtinës. LDK-ja kurrë s’do të mund të fitoj duke bërë lojëra të tilla politike me njerëzit e dështuar politik.

Exit mobile version