Telegrafi

Një yll i ri i futbollit tonë shpërtheu në garat evropiane, Albion Rrahmani i befasoi të gjithë me pesë gola në dy ndeshje

Festa e Albion Rrahmanit (Foto: KF Ballkani)

Albion Rrahmani padyshim është njeriu i momentit te Ballkani, pasi nda La Fioritas shënoi pesë herë në dy ndeshje.

Sulmuesi llapjan në ndeshjen e parë të zhvilluar në San Marion përligji besimin e trajnerit, pasi startoi nga minuta e parë dhe në këtë përballje arriti të shënojë dy herë në fitoren 4-0.

Për ata që menduan se golat e tij ishin të rastësishëm, Rrahmani u përkujdes edhe për një paraqitje për ‘kornizë’ në ‘ Fadil Vokrri’.

Albion Rrahmani duke festuar me shokët e skuadrës (Foto: KF Ballkani)

Ai shënoi het-trik në fitoren 6-0 të Ballkanit, për ta ndihmuar skuadrën që të kalojë në raundin e tretë.

Rrahmani që njihet në publik edhe me nofkën ‘Lewandowski i Malishevës’, shënoi golat në minutat 6’, 8’ dhe 69’, duke konfirmuar formën e lartë që po kalon.

Duke e ditur që Ballkani ka një sulmues si nigeriani Theophilus Solomon, atëherë është pritur që minutat për  Rrahmanin të ishin të pakët, pasi në sulm është edhe Albin Berisha, i cili luajti si startues në dy ndeshjet ndaj Zalgiris.

Por trajneri Ilir Daja i ka besuar 21 vjeçarit, i cili tregoi se ka një nuhatje fantastike për gol, ndërsa di ta sulmojë zonën shumë mirë.

Albion Rrahmani gjatë ndeshjes (Foto: KF Ballkani)

Ai punon po ashtu edhe në mbrojtje, ndërsa bën lojë të mirë edhe me shpin të kthyer prej porte.

Rrahmani duket një sulmues modern, që këto netët evropiane të futbollit tonë i ka bërë edhe më të bukura.

Tani nga ai pritet që të shpërthej edhe në raundin e tretë, që emri i tij të lakohet edhe në mediat e huaja, pse jo që brenda këtij afati kalimtar të kalojë te ndonjë klub të një niveli më të lartë. /Telegrafi/