Albion Rrahmani padyshim është njeriu i momentit te Ballkani, pasi nda La Fioritas shënoi pesë herë në dy ndeshje.
Sulmuesi llapjan në ndeshjen e parë të zhvilluar në San Marion përligji besimin e trajnerit, pasi startoi nga minuta e parë dhe në këtë përballje arriti të shënojë dy herë në fitoren 4-0.
Për ata që menduan se golat e tij ishin të rastësishëm, Rrahmani u përkujdes edhe për një paraqitje për ‘kornizë’ në ‘ Fadil Vokrri’.
Ai shënoi het-trik në fitoren 6-0 të Ballkanit, për ta ndihmuar skuadrën që të kalojë në raundin e tretë.
Rrahmani që njihet në publik edhe me nofkën ‘Lewandowski i Malishevës’, shënoi golat në minutat 6’, 8’ dhe 69’, duke konfirmuar formën e lartë që po kalon.
Duke e ditur që Ballkani ka një sulmues si nigeriani Theophilus Solomon, atëherë është pritur që minutat për Rrahmanin të ishin të pakët, pasi në sulm është edhe Albin Berisha, i cili luajti si startues në dy ndeshjet ndaj Zalgiris.
Por trajneri Ilir Daja i ka besuar 21 vjeçarit, i cili tregoi se ka një nuhatje fantastike për gol, ndërsa di ta sulmojë zonën shumë mirë.
Ai punon po ashtu edhe në mbrojtje, ndërsa bën lojë të mirë edhe me shpin të kthyer prej porte.
Rrahmani duket një sulmues modern, që këto netët evropiane të futbollit tonë i ka bërë edhe më të bukura.
Tani nga ai pritet që të shpërthej edhe në raundin e tretë, që emri i tij të lakohet edhe në mediat e huaja, pse jo që brenda këtij afati kalimtar të kalojë te ndonjë klub të një niveli më të lartë. /Telegrafi/