Telegrafi

Një xhaketë si kjo është një rrobë e përjetshme – dhe një elegancë franceze

Për dekada, xhaketat ‘bouclé’ kanë qenë rroba të përjetshme që duken gjithmonë bukur dhe elegante

Mu një të tillë para disa ditësh për një rast Gala, në ndarjen e shpërblimeve të modës në Nju-Jork, e ka veshur Gigi Hadid, duke përzier disa ngjyra dhe ka thyer monotoninë në tapetin e kuq.

Xhaketa ‘bouclé’ është krijuar sipas idesë së Coco Chanel, tekstura e saj e pëlhurës, silueta e saktë dhe pullat luksoze edhe sot i magjepsin adhurueset e modës.

Versione më të gjata e më të shkurtra, me ngjyra të ndezura apo neutrale, sot janë të panumërta në koleksionet e modës nga kjo veshje e adhuruar, transmeton Telegrafi.

Ajo u konceptua për herë të parë nga Coco Chanel në vitet pesëdhjetë, dhe prerja e saj strikte dhe minimaliste u frymëzua nga xhaketat e qepura të meshkujve. Silueta katrore, dekorimet me kontrast dhe materiali i këtyre xhaketave janë kthyer në një markë të njohur të markës “Chanel” dhe sot i shohim në versione të shumta të shtëpive të tjera të mëdha të modës.

Kjo veshje me të cilën do të kapim lehtësisht stilin elegant, të thjeshtë dhe femëror të femrave parisiane, është e shkëlqyer për të ngritur lart çdo kombinim mode!

‘Bouclé’ është një pëlhurë me teksturë e përftuar më shpesh nga leshi, e karakterizuar nga sythe në thurje që i japin strukturë.

Një xhaketë e tillë mund të vishet në kombinimin më të thjeshtë me xhinse, një bluzë të bardhë dhe baletane. Gjatë ditëve të dimrit, në kombinim me një xhaketë ‘bouclé’, do të përshtaten në mënyrë perfekte edhe çizmet e larta.

Copat klasike mund të kombinohen gjithmonë me sukses me ato që janë aktualisht në trend, si crop top dhe modele të ndryshme pantallonash lëkure.

Përveç pantallonave, një xhaketë ‘bouclé’ do t’i shtojë një nuancë elegance çdo veshjeje me një fustan apo fund, i cili mund të jetë kombinimi perfekt ideal për darkë.

/Telegrafi/