Site icon Telegrafi

Një vit (pothuaj) i papritur

Danilo Taino

I demagogëve, i autokratëve, i populizmave, i të jetuarit mes rrezikut: kur një viti përpiqesh t’i japësh një emër, një përcaktim, do të thotë që ai merr një vend në Histori, se nuk ka rrëshkitur tutje, pa karakter. Kështu është për 2016-ën, ashtu si ishte, për herë të fundit, për 1989-ën. Viti i të papriturës: 12 vite më parë shihej Brexit dhe zgjedhjet në Amerikë, si takime rutinë, me përmbajtje të vogël emocionesh. Dhe pak kush dyshonte që Matteo Renzi do të ishte kreu i qeverisë italiane në Krishtlindje. Por të flasësh për surpriza, kur do të shpjegosh 2016-ën, kjo nuk mjafton. Dhe nuk të thotë asgjë për 2017-ën. Dhe për gjërat që janë në lojë, për të gjithë botën.

Rendi ndërkombëtar ishte bërë copë që përpara vitit 2016. Kriza e Pax Americana-s në periudhën e pasluftës, e forcuar dhe bërë njëpolare pas shembjes së perandorisë sovjetike, kishte nisur tashmë. Ndoshta e shenjuar prej sulmit kundër Kullave Binjake në vitin 2001, një shenjë e rizgjimit të dhunshëm të islamit politik. Me siguri e vënë në diskutim prej superfuqisë së re ekonomike kineze.

Dhe e përshkruar në analizën e tij të rendit botëror, prej Henry Kissingerit. Viti 2016 sinjalizoi se opinionet publikë perëndimorë duan të kenë fjalën e tyre në ekuilibrat e rinj, që do të projektohen në vitet e ardhshme. Klasat e tyre drejtuese, në përgjithësi kanë dështuar.

Mbi të gjitha, kanë tradhëtuar: në një globalizim që duhej të kish qenë triumfi i shanseve për të gjithë, i tregut në ekonomi, i meritokracisë në punë, i rritjes së mirëqenies së përhapur, kanë krijuar oligarki pushteti dhe privilegjesh. Ndërthurja mes aparateve shtetërore, burokracive të korporatave, bankave të mëdha, elitave intelektuale, krijoi një klasë drejtuese globale që prapa retorikës së kufijve të hapur, në të vërtetë ngriti muret që përjashtuan të tjerët.

Tregu nuk funksionoi, meritokracia shpesh herë rezultoi në fasadë, pasuria nuk ishte një baticë që të ngrinte të gjithë varkat.

Elitat globale folën si liberalë të hapur e dashamirës, po shpesh herë vepruan si oligarki. Politikisht korrektja u shndërrua në manifestin e tyre, por përjashtimi u shndërrua në praktikën e tyre. Nuk ka asgjë të paravendosur këtu, asnjë komitet biznesi që ka vendosur për gjithçka, në një sallon në Nju Jork apo Tokio.

Eshtë dinamika e interesave. Në të cilën, gjatë 2016-ës, hynë edhe ata që ishin ndjerë të përjashtuar. Në formën e populizmit. Mund të mos na pëlqejë. Por po ta shohim mirë, nuk mund të jetë një surprizë. /bota.al/

Exit mobile version