Një vit pas vrasjes me snajper të biznesmenit Kastriot Reçi në Rrëshen, policia ende nuk ka gjetur autorin e ekzekutimit të pronarit të televizionit “Media Plus”, i cili u qëllua me një plumb të vetëm nga një distancë prej gati 150 metra.
Vrasja e Reçit, dyshohet se ka lidhje me hasmëritë e vjetra që kanë dy familjet Gjini dhe Reçi. Ekzekutimi i tij, konsiderohet nga ekspertët kriminalistë si një krim i realizuar me logjistikë dhe precision të lartë nisur edhe nga snajperi që është përdorur por edhe distance e qitjes. Ekzekutori ka lënë gjurmë të mjaftueshme për identifikim, si një qese kikirikësh, bishta cigareje dhe një ambalazh çokollate.
Nga këto gjurmë janë marrë profile ADN-je, por ende nuk është arritur të zbulohet autori i krimit.
Ora News mëson se gjatë periudhës 1 vjeçare të hetimit, dhjetëra persona janë shoqëruar dhe ballafaquar me provat, por asnjëri prej tyre nuk është ndaluar.
Mes personave që janë verifikuar dhe ballafaquar me provat mësohet të jenë dhe dy efektivë të forcave speciale RENEA, të cilët fillimisht u dyshuan se mund të kishin lidhje me këtë ngjarje të rëndë.
Dy efektivëve të RENEA-s, u është marrë profil pështyme me qëllim krahasimin me profilin e sekuestruar në banesën nga ka qëlluar snajperi me një plumb në kokë biznesmenin Kastriot Reçi.
ADN-janë është analizuar me imtësi por pa rezultat dhe më pas profilet i janë dërguar dhe policive të Bashkimit Evropian, me shpresën e gjetjes zbulimit të emrit të snajperistit që qëlloi Kastriot Rreçin.
Për këtë ngjarje në polici, në muajin janar 2020, u shoqërua Preng Gjini, i cili në muajin shtator 2020 i shpëtoi një, atentati të mirëorganizuar në Tiranë si dhe kushëriri i tij, Fatjon Dautaj.
Pasi janë marrë në pyetje në polici dy kushërinjtë janë lënë të lirë. Hasmëria mes dy fiseve Gjini dhe Reçi filloi në vitin 2016, dhe dyshohet se vijon të prodhojë viktima edhe sot.
Më 15 dhjetori 2020, është vrarë në Rrëshen Anton Keli, djali i hallës së vëllezërve Gjini. Vrasja është kryer 26 ditë para se Kastriot Reçi, të mbushte një vit nga ekzekutimi më 7 janar.