Site icon Telegrafi

Një vit nga sulmi terrorist në Banjskë, Manastiri do të mbyllet nga 23 deri më 26 shtator

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka njoftuar se Manastiri në Banjskë do të jetë i mbyllur për vizitorët nga data 23 deri më 26 shtator 2024.

Kjo masë sipas njoftimit thuhet se është marrë për arsye sigurie dhe për të garantuar ruajtjen e paqes.

Përfaqësuesit e Kishës kanë theksuar se qetësia dhe siguria janë prioritet në këtë periudhë, duke shtuar se manastiri ka rëndësi të veçantë për komunitetin fetar dhe kulturor në zonë.

“Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit njofton publikun se Manastiri i Shën Arqidhjakonit dhe Protomartirit Stefan në Banjskë do të jetë i mbyllur për vizitorët të hënën, të martën, të mërkurën dhe të enjten (23-26 shtator) për arsye sigurie dhe për të siguruar ruajtjen e paqes, që aktualisht është me rëndësi të madhe për manastirin”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se nesër bëhen një vit nga sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, ku i vrarë mbeti reshteri Afrim Bunjaku.

Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Së fundmi, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave lidhur me sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023, në mesin e tyre edhe Milan Radoiçiq.

Aktakuza i ngarkon shumicën e tyre për kryerje të terrorizmit dhe të veprave të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version