Telegrafi

Një vit nga nënshkrimi i marrëveshjes për krijimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd

Pas dy dekadave është paralajmëruar rikthimi i fluturimeve Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas. Për këtë, Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, më 20 janar të vitit të kaluar kishte nënshkruar në Berlin marrëveshjen me kompaninë gjermane Lutfhansa, për të hapur këtë linjë ajrore.

Nënshkrimi i marrëveshjes ishte bërë në Ambasadën amerikane në Berlin, në prezencën e të ish të dërguarit special të presidentit në largim Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në të cilën përfaqësuesit e Lufthansas i kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil letrën me të cilën i njoftojnë autoritetet e Kosovës për këtë synim dhe kërkojnë që institucionet vendase t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet tjera.

Lajmin për hapjen e linjës ajrore e kishte konfirmuar vetë Grenell, i cili këtë marrëveshje e ka konsideruar si arritje.

Lexo po ashtu Nga hapja e linjës ajrore dhe riaktivizimi i hekurudhës deri te kërkesa për hapje të vendeve të punës - gjithçka që ndodhi nga takimet që Richard Grenell pati me zyrtarët në Kosovë dhe Serbi

“Presidenti Donald Trump edhe një herë na ka udhëhequr në një fitore historike. Kosova dhe Serbia sot kanë nënshkruar marrëveshjen për krijimin e linjës së parë ajrore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pas 21 viteve. Faleminderit Lufthansa, NATO, Robert O’Brien dhe udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë”, kishte shkruar Grenell në Twitter, përcjell Telegrafi.

Menjëherë pas nënshkrimit kishte ardhur edhe reagimi nga vetë Trump, ku këtë marrëveshje e ka konsideruar si historike.

“Të gjithë thanë se nuk mund të bëhet. Por, për herë të parë në një gjeneratë, do të ketë fluturime direkte mes Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore. Faleminderit ambasadorit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, si dhe ambasadorit Richard Grenell”, kishte shkruar Trump në Twitter.

Lexo po ashtu Marrëveshja për krijimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, një reagim vjen edhe nga presidenti Trump

Pas kësaj, vet Grenell u kujdes që të vij në një vizitë në Prishtinë dhe Beograd, i cili takoi përfaqësuesit e të dyja vendeve.

Ai gjatë qëndrimit në Prishtinë ka thënë se me rëndësi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është arritja e progresit në rajon në aspektin ekonomik.

Grenell gjatë takimit me përfaqësuesit e biznesit në vend kishte thënë se, zgjidhja e çështjeve të hapura politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndihmonte të dyja shtetet në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës, ku komunitetet e biznesit duhet të luajnë rolin e tyre në përmbylljen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet të dyja vendeve. /Telegrafi/