Site icon Telegrafi

Një vegan në restorant: Bukë e krip dhe… spec!

Ka një vit që, për arsye personale dhe shëndetësore, nuk i konsumoj produktet e mishit dhe të qumështit. Kështu, u “detyrova” të bëhem vegan.

Vështirësitë e para të këtij vendimi ishin më shumë në aspektin e kumtimit të lajmit tek familjarët, sesa te lufta për të shmangur konsumin e këtyre produkteve. Sepse, lajmin ata e pritën sikur t’ju thosha se e kam ndërruar fenë. Nga ai moment, për ta jam ndryshe. Sepse, kur më thërrasin në drekë, rrinë më të distancuar meqë nuk e kanë idenë se si mund të më shërbejnë pa një copë mishi në pjatë. Se, kështu e do tradita e “mikpritjes”!

Nuk e kaloj më lehtë as në restorante. Kam filluar të bëhem “miq” me disa kuzhinierë, për faktin që dëshirojnë ta dinë se kush është ai klienti i vështirë që po qet kajde me “recetat bimore”. Në bisedat me ta dukem si një mësues që u kërkon ta thonë alfabetin, duke filluar nga shkronja B. Sepse, shkronja A në recetat e tyre ka të bëjë me produktet e mishit.

Lista e produkteve që ne veganët i konsumojmë është shumë më e gjatë se e produkteve që i refuzojmë nëpër restorante. Por, ja që nuk e përfaqësojmë masën e klientelës së përditshme dhe dukemi ndryshe meqë porosisim shpesh… vetëm sallatë. Dhe, atë, pa djathë!

Por, edhe sjelljet e “komunitetit” tonë vegan janë pak të çuditshme. Sepse, në çdo të dytën fjalë dëshirojmë ta vëmë në pah faktin se jemi veganë. Sikur dëshirojmë të dallohemi e të bëjmë me dije se mision e kemi shpërndarjen e besimit të ndonjë sekte për ta shpëtuar njerëzimin nga rruga e gabuar.

Veganizmi ka ekzistuar qëkur ekziston mbamedja njerëzore. Por, viteve të fundit po merr një vëmendje të shtuar. Kështu, p.sh., “The Economist” e ka quajtur vitin 2019 si Viti Vegan.

Të qënit vegan bazohet në dy fakte kryesore: te shëndeti personal dhe te mbrojtja e ambientit. Pra, një jetë më e shëndetshme për veten dhe për gjeneratat që vijnë.

Në aspektin shëndetësor, konsumimi i produkteve bimore e ndihmon shëndetin e mendjes dhe të trupit. Është vërtetuar se dieta me produkte bimore e zvogëlon rrezikun nga disa sëmundje që mund të kenë pasoja fatale. Apo, thënë më mirë: veganizmi kontribuon për një mendje të shëndoshë në trup të shëndoshë. Fakte të shumta për këtë mund t’ju japin nutricionistë anembanë Kosovës.

Në aspektin e mbrojtjes së ambientit, për këtë duhet ndërmarrë disa iniciativa. Kur diskutoj me miqtë në lidhje me nevojën e mbajtjes së bagëtive, pajtohemi se kjo është e domosdoshme për ruajtjen e ekosistemit të planetit. Dhe, pajtohemi që cikli i këtij ekosistemi i ka benefitet e veta, por deri në masën kur kjo shmang konsumin masiv dhe përpunimin industrial të mishit. Kjo i përkeqëson gjërat. Prandaj, rekomandimet e ekspertëve sugjerojnë se dieta vegane është mënyra më e mirë për ta zvogëluar dëmin që po ia bëjmë planetit Tokë, jo vetëm me gazrat serike, por acidifikimin global, eutrofikimin, përdorimin e tokës dhe përdorimin e ujit.

“Toka ka mjaft resurse për t’i ushqyer të uriturit, por jo lakmitaret”. Kështu ka thënë Mahatma Gandi. Një vegan në Kosovë duhet parë në këtë aspekt. Në dritë më të mirë. Po për këtë, besoj që “Një vegan në restorant” është hapi i parë që ndikon në vetëdijesimin e shoqërisë tone për një jetë më të shëndetshme. Sepse, i shtyjmë kuzhinieret të dalin nga zona e komoditetit duke i nxitur të krijojnë receta të reja, më ndryshe e më të shëndetshme, e që ndoshta mund t’u pëlqejnë edhe konsumuesve të mishit.

E, kur është fjala për familjarët që ende nuk janë mësuar me mua, veganin e ri, ju them se mund të më nderoni me bukë e krip dhe… spec! Sepse, ndryshimi i shprehive në shoqëri merr kohë dhe nuk dua të kem barriera me ta.

(Autori është themelues/CEO i kompanisë “Be Consulted”)

Exit mobile version