Telegrafi

Një i vdekur nga një sulm me furgon në Holandë pas koncertit të Bruno Marsit

(Foto: Getty Images/Twitter)

Një furgon i ka përplasur disa fansa të mbledhur pas një koncert të Bruno Marsit në Holandë duke shkaktuar një të vdekur.

Automjeti ka goditur katër njerëz mëngjesin e të hënës në Limburg, me ç’rast njëri prej tyre e ka humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime.

Policia ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur disa ore pas koncertit të yllit të muzikës R&B, Bruno Mars.

Ngjarja ka ndodhur në Festivalin “PinkPop”, i cili mbahet në provincën Limburg në jug të Holandës.

RTL ka njoftuar se në vendin e ngjarjes janë paraqitur menjëherë forcat e rendit duke përfshirë një helikopter dhe autoambulancat.

Policia është vënë në kërkim të automjetit, i cili është identifikuar nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes.

Ndryshe, Mars ka qenë ylli kryesor i festivalit që ka zgjatur tri ditë. /Telegrafi/