Dy këmbësorë në një paradë të Krenarisë afër Miamit – Florida të shtunën u goditën nga një kamion, duke lënë një të vdekur dhe tjetrin të plagosur, sipas policisë.
“Të dy meshkujt u dërguan në Qendrën Mjekësore Shëndetësore Broward, ku njëri u shpall i vdekur”, ka thënë një detektiv i Departamentit të Policisë në një konferencë shtypi të shtunën në mbrëmje.
Viktima e dytë pritet të mbijetojë.
Ai ka shtuar se FBI po ndihmon në hetim por nuk pranoi të thoshte nëse hetuesit besonin se incidenti ishte i qëllimshëm.
“Ne jemi duke vlerësuar të gjitha mundësitë”, citohet të ketë thënë detektivi Ali Adamson. “Asgjë nuk përjashtohet”.
Parada e Krenarisë Stonewall sapo kishte filluar kur ndodhi incidenti. Pjesa e mbetur e paradës u anulua, sipas Departamentit të Policisë Wilton Manors.
Wilton Manors është një periferi e Fort Lauderdale që supozohet se ka një “prani të fortë homoseksuale”, sipas faqes së internetit të qytetit, duke përqafuar “reputacionin e tij si një destinacion për komunitetin homoseksual, lezbik, biseksual dhe transgjinor”. /Telegrafi/