Një aksident i rëndë ka ndodhur në autostradën “Arbën Xhaferi”, konkretisht në kilometrin e 15-të të segmentit Lipjan – Ferizaj, si pasojë një person ka vdekur dhe katër të tjerë janë lënduar.
Zëdhënësi i Policisë Daut Hoxha, bëri të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 14:00, ndërsa shtoi se vdekjen e 44-vjeçarit e ka konfirmuar mjeku në vendin e ngjarjes.
Ndërkaq të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK në Prishtinë.
Në aksident janë përfshirë dy automjeteve transportuese (Kombi) njëri në lëvizje, ndërsa tjetri i ndalur në shiritin emergjent.
“Ekipet relevante policore kanë dal ne vendin e aksidentit, përfshirë edhe ato të hetimeve të cilat po punojnë në identifikimin e shkaqeve të aksidentit dhe rrethanave që e karakterizojnë. Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori”, deklaroi Hoxha.
Hoxha bëri apel që pjesëmarrësit në komunikacion të kenë kujdes të shtuar.
“Humbja e jetëve njerëzore si pasojë e pakujdesisë së drejtuesve te automjeteve po bëhet gjithnjë e më shqetësuese, andaj kërkojmë nga të gjithë drejtuesit e automjeteve të jenë më vigjilent dhe të respektojnë rregullat në trafikun rrugor. Respektimi i shenjave në trafik dhe përshtatja e shpejtësisë me kushtet në rrugë është domosdoshmëri për një siguri më të madhe rrugore”,u shpreh ai.
Policia e Kosovës po ndërmerr në vazhdimësi masa rigoroze ligjore ndaj të gjithë atyre që bien ndesh me rregullat dhe ligjet e trafikut dhe në një mënyrë apo tjetër rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve në rrugë. /Telegrafi/