Telegrafi

Të shtënat në një kompani në Athinë të Greqisë, katër të vdekur, përfshirë të dyshuarin

(E plotësuar) Katër persona kanë mbetur të vdekur nga të shtënat me armë zjarri në kompaninë e anijeve në Glyfada – Athinë të Greqisë.

Sipas informacioneve të mediave greke, personi i armatosur që hapi zjarr në zyrat e kompanisë së anijeve u gjet i vdekur në bodrumin e pallatit, me një armë pranë tij.

Para se t’i jepte fund jetës, personi i armatosur – një ish-punonjës i kompanisë, 70 vjeç, me origjinë egjiptiane, sipas informacioneve – qëlloi tre persona brenda kompanisë, të cilët vdiqën.

Sulmuesi dyshohet se hyri në zyra nga parkingu i ndërtesës. /Telegrafi/

Një i vdekur dhe dy të plagosur nga të shtënat në një kompani në Athinë të Greqisë – policia po e trajton si “një situatë pengjesh”

Një person i armatosur ka hapur zjarr në selinë e një kompanie transporti në Glyfada, në jug të Athinës.

Si pasojë, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka gjetur vdekjen një person ndërsa janë plagosur dy të tjerë.

Raportet tregojnë se sulmuesi, që dyshohet se ishte një ish-punonjës egjiptian që kërkonte hakmarrje për shkarkimin e tij, aktualisht është i bllokuar brenda ndërtesës.

Policia, pjesëtarët e njësisë elitare të antiterrorizmit dhe mjekët i janë përgjigjur incidentit, duke e trajtuar atë si një situatë pengjesh.

Aktualisht po zhvillohen negociatat me autorin.

Si pasojë e operacionit policor është ndërprerë qarkullimi në rrugët përreth. /Telegrafi/