Site icon Telegrafi

Një i vdekur dhe dhjetëra të shpëtuar në përpjekjen e fundit për të kaluar Kanalin Anglez

Një person ka vdekur duke u përpjekur të kalonte Kanalin Anglez me një gomone të mbipopulluar, teksa një numër varkash të vogla bënë udhëtimin e rrezikshëm gjatë fundjavës.

Bëhet e ditur se 34 të tjerë u shpëtuan nga ajo që u përshkrua si një “varkë migrantësh” në portin verior francez të Calais.

Incidenti i fundit pason vdekjen e të paktën gjashtë personave në tre incidente të veçanta në Kanal midis 12 dhe 19 korrikut.

Personi i fundit që vdiq u gjet pa ndjenja gjatë operacionit të shpëtimit në orët e para të mëngjesit, ka njoftuar autoriteti detar francez, Premar.

Autoriteti tha se vdekja ishte rezultat i asaj që u përshkrua si “një fenomen i ri i njerëzve që vdesin në det jo nga mbytja, por nga sëmundja ose nga një përplasje”.

Të paktën 75 persona thuhet se kanë qenë në bordin e anijes, shkruan the Guardian.

Ndërsa disa njerëz u larguan, të tjerët refuzuan ndihmën e ofruar gjatë shpëtimit dhe anija u lejua të vazhdonte, nën vëzhgimin e një varke patrullimi franceze.

“Duke pasur parasysh rreziqet e rënies në det ose lëndimit të njerëzve në rast të ndërhyrjes së detyruar, u mor vendimi për të lënë njerëzit e tjerë në varkë të vazhdonin rrugën e tyre”, tha Premar në një deklaratë.

Ndryshe, gjatë javës së fundit 342 persona kaluan Kanalin me shtatë varka, sipas shifrave të Zyrës së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar.

Më shumë se 12,000 njerëz kanë bërë kalimin deri më tani këtë vit, sipas shifrave të përkohshme të publikuara në mes të qershorit. /Telegrafi/

Exit mobile version