Në Bjellorusi është gjetur një varr masiv me mbetjet mortore të cilat dyshohet se u takojnë mbi njëmijë hebrenjve të vrarë nga nazistët.
Sipas DailyMail, përcjell Telegrafi, kockat e burrave, grave dhe fëmijëve me plagë me armë zjarri në kafkat e tyre janë gjetur në një vend ndërtimi në qytetin e Brestit, në kufirin polak.
Siç thuhet më tej, skeletët e rreth 600 personave janë gjetur deri më tani, me ushtarët e Bjellorusisë – të vendosur për të kryer punën – duke gjetur mbetjet e rreth 40 njerëzve çdo ditë, në vendin e varrimit famëkeq.
Ndërsa zyrtarja e qytetit, Anna Kondak ka thënë: “Ne presim që numri i viktimave të kalojë mbi 1,000”.
Të vdekurit besohet të kenë qenë viktima të Holokaustit të nazistëve nga Lufta e Dytë Botërore, thonë zyrtarët.
Viktimat ishin nga getoja hebreje në Brest, ku deri në 28,000 hebrenj jetonin në vitet 1941-42.
Rreth 17,000 vetë dihet se janë vrarë në tetor të vitit 1942 afër stacionit hekurudhor të Bronnaya Gora, ndërsa mijëra të tjerë gjithashtu janë supozuar të jenë therur.
Të dhënat historike thonë se viktimat u urdhëruan nga forcat e Hitlerit për t’u zhveshur përpara se të qëlloheshin.
Zbulimi i fundit i mbetjeve njerëzore erdhi gjatë gërmimeve për ndërtimin e një rezidence të re luksoze dhe një qendre tregtare, kanë thënë autoritetet. /Telegrafi/