Vajza 16-vjeçare Julie A. është viktima më e re e coronavirusit në Francë, dhe besohet se është viktima më e re e coronavirusit në Evropë, raporton AFP.
Julie ndërroi jetë në Paris të enjten dhe është një nga 1696 viktimat e coronavirusit në Francë, transmeton Telegrafi.
Nëna e saj i tha AFP se Julie kishte një kollë të butë një javë më parë, dhe ajo gjithashtu kishte vështirësi të merrte frymë të shtunën.
Ajo u pranua në një spital, ku u bënë teste të shumta të coronavirusit, të cilat treguan se ishte pozitive.
Gjendja e saj u përkeqësua në mënyrë dramatike në vetëm disa ditë dhe ajo ndërroi jetë të enjten.
Julie banonte në Longjumeau, një qytet në jug të Parisit.
Motra e saj paralajmëroi të gjithë përmes mediave se virusi nuk ishte vetëm i rrezikshëm për të moshuarit dhe të sëmurët.
“Na u tha që nga fillimi se virusi nuk prek shumë të rinjtë. Ne besuam në të, si të gjithë të tjerët”, tha nëna e saj për AFP.
Julie nuk kishte asnjë problem shëndetësor ose vuante nga sëmundje kronike. /Telegrafi/