Site icon Telegrafi

Një urë për të ardhmen

Javës që shkoi, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një deklaratë për shfuqizimin e ligjit të luftës nga ana e Greqisë ndaj Shqipërisë. Deklarata e propozuar nga grupi parlamentar “Demokraci dhe Integrim” dhe e miratuar me konsensus nga Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje parlamentit grek të nxisë shfuqizimin e ligjit të luftës. Në të njëjtën kohë, i kërkon qeverisë shqiptare të vijojë përpjekjet për të mundësuar shfuqizimin e ligjit dhe pasojave që burojnë prej tij.

Shfuqizimi i ligjit absurd të luftës që Greqia mban ende në fuqi ndaj Shqipërisë do të lexohej edhe si një përkujdesje ndaj pakicës kombëtare greke, për sa kohë është në fuqi akti ligjor, që mban nën sekuestro, pronat e shtetit shqiptar, shtetasve shqiptarë, përfshirë edhe ato me kombësi greke.

Deklaratat apo rezolutat e Kuvendit kanë një peshë të rëndësishme sepse mishërojnë vullnetin politik të përfaqësuesve të sovranit. Zakonisht, ato bëhen për çështje ku nevojitet sensibilizimi ose shkundja e qeverisë në veçanti apo shoqërisë në përgjithësi. Këto dokumente shoqërohen me detyra konkrete dhe me një mekanizëm raportimi e kontrolli para Kuvendit.

Në ushtrimin e politikës së jashtme koha dhe konteksti në të cilën ndërmerren veprime të caktuara janë të rëndësishme. Për shembull, në vitin 2013, nisur nga luhatjet e politikës së jashtme shqiptare, Kuvendi miratoi një rezolutë ku qeverisë i kërkohej që “çështjen çame” ta bënte pjesë të dosjes diplomatike me Greqinë dhe të raportonte në Kuvend për ecurinë e saj. Disa muaj më vonë, kjo çështje u përfshi për t’u trajtuar në përputhje me standardet ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, në programin politik të votëbesuar në Kuvend, më 15 shtator të vitit 2013. 11 vite më vonë, Kuvendi miratoi një deklaratë për një çështje, për të cilën, që nga dita e vendosjes së gjendjes së luftës e deri tani, asnjë qeveri, pavarësisht formës së regjimit, nuk ka pasur asnjë dilemë në Shqipëri. Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria kërkoi heqjen e ligjit të luftës nga ana e Greqisë në Konferencën e Paqes të Parisit në vitin 1947. Po kështu, në planin dypalësh, rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë në vitin 1971, u shoqërua më kërkesat e vazhdueshme të Shqipërisë për shfuqizimin e këtij regjimi.

Është rasti të theksohet se gama e çështjeve të pazgjidhura me Greqinë, pavarësisht specifikës së tyre, është më e gjerë sesa ligji i luftës. Marrëdhëniet shqiptaro-greke janë marrëdhënie tipike ballkanike. Një dashuri e ashpër ku nuk mungojnë episode që dominohen nga mungesa e racionalitetit apo shkrirja e kufijve të politikës së jashtme me atë të brendshme.

Me qëllim trajtimin e çështjeve të pazgjidhura dhe hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet dypalëshe, në fund të vitit 2013 u mendua që këto çështje të parashtrohen në mënyrë sistematike. Më pas, këto çështje u përfshin në atë që njihet si “paketa e çështjeve dypalëshe”. Çështje, që rrokin një hapësirë kohore nga vendosja e ligjit të luftës nga ana e Greqisë ndaj Shqipërisë, e deri tek ato të aktualitetit. Në këtë proces dinamik dypalësh, u mbajtën të informuar në lidhje me ecurinë e bisedimeve, krahas institucioneve kushtetuese përgjegjëse të vendit, institucionet e rëndësishme ndërkombëtare ku Shqipëria bën pjesë. Në media janë raportuar edhe qëndrime të përfaqësuesve të këtyre institucioneve ndërkombëtare për çështje konkrete.

Nganjëherë harrohet se përmes këtij procesi u përmbyllën disa prej çështjeve me ndikim për qytetarët. Adresimi i çështjes së toponimeve në përputhje me rregullat e praktikat e OKB-së eliminoi pengesat në lëvizjet ndërkufitare të shtetasve tanë. Greqia hoqi rezervën për përdorimin e vulës apostile, duke i kursyer xhepave të shtetasve tanë rreth pesë milionë euro në vit për dokumente të ndryshme.

Rreth 150 mijë shtetas shqiptar përfituan nga zgjidhja e problematikës së regjistrimit të fëmijëve të lindur në Greqi nga një ose të dy prindërit që nuk kanë leje qëndrimi në Greqi. U njohën lejet e drejtimit të automjeteve. Rreth 800 euro u kushtonte shtetasve shqiptarë në Greqi procedura e njohjes së patentës. Rinisi puna për rishikimin e teksteve shkollore, bazuar mbi marrëveshjen e vitit 1998, duke shkëmbyer raporte mbi gjetjet në tekstet respektive për çështjet që përbëjnë shqetësim për secilën palë.

Për zbatimin në terren të marrëveshjes së vitit 2009 mbi kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe rivarrimin e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri, gjatë luftës italo-greke të vitit 1940-1941 dhe ndërtimin e vendprehjes për ta në territorin e Republikës së Shqipërisë u miratuan disa protokolle teknike me qëllim: (i) saktësimin e numrit të të rënëve grek; (ii) saktësimin e zonave ku duhet të kryhen gërmimet; (iii) mënyrën e identifikimit të të rënëve; (iv) sigurimin e prezencës së të gjitha institucioneve përkatëse gjatë procesit të zhvarrimit dhe e dokumentacionit shoqërues të procesit.

Për pjesën e mbetur të çështjeve të pazgjidhura të paketës u shënua progres i dokumentuar në rrugë shtetërore, ndonëse jo zgjidhje përfundimtare. Ndryshimet politike në Greqi në mesin e vitit 2019 risollën në qeverisje partinë “Demokracia e re”, e cila ishte në qeverisje gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për delimitimin e hapësirave detare me Shqipërinë, në vitin 2009. Për këtë parti, kjo marrëveshje konsiderohej si arritja më e madhe strategjike e Greqisë në politikën e jashtme.

Ndryshimi politik në Greqi u shoqërua me një qasje të ndryshme mbi paketën e çështjeve të pazgjidhura mes dy shteteve tona, lidhur me mënyrën sesi u veçua nga paketa dhe sesi do të adresohet çështja e delimitimit të hapësirave detare. Për shembull, paketa përmbante edhe trajtimin e marrëveshjeve për administrimin e piramidave dhe shenjava kufitare si dhe atë të bashkëpunimit ndërkufitar. Ndonëse jo të lidhura në kuptimin ligjor fjalës, përfundimi i këtyre marrëveshjeve, paralelisht me atë të delimitimit të hapësirave detare, mbyll përfundimisht çështjet kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, e njëkohësisht varros çdo pretendim territorial të qarqeve ekstremiste.

Pavarësisht përpjekjeve disavjeçare që çështja e delimitimit të hapësirës detare të mbetej në nivel dypalësh, mënyra e zgjidhjes së kësaj çështje dypalëshe u bë pjesë e dokumentit të Kuadrit Negociues që do të udhëheq procesin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Megjithëse BE-ja ka në gjirin e saj shtete anëtare, të cilat ende nuk kanë gjetur rrugën e zgjidhjes me njëra-tjetrën për çështjet e delimitimit të hapësirave detare, për shkak të mungesës së një standardi evropian, insistimi i Greqisë për ta bërë këtë çështje dypalëshe, që zgjidhet përmes të drejtës ndërkombëtare, pjesë të agjendës evropiane, shton në mënyrë të padrejtë presionin ndaj Shqipërisë.

Negociimi i çështjeve në paketë ndihmoi edhe në reduktimin e paragjykimeve. Të dhënat e vrojtimit të qershorit të këtij viti të Fondacionit grek për Politikë Evropiane dhe të Jashtme, mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke, tregojnë informimin dhe reduktimin progresiv të paragjykimeve të shoqërisë greke për disa prej çështjeve të pazgjidhura dypalëshe, përfshirë “çështjen çame”. Natyrisht, kjo nuk eklipson faktin që segmente të caktuara të partisë në pushtet “Demokracia e Re”, mbajnë ndezur flakën e nacionalizmit të dikurshëm duke nxitur zbatimin e një politikë arrogante ndaj Shqipërisë.

Megjithatë, e dhëna më inkurajuese e vrojtimit të opinionit publik grek, ka të bëjë me pranimin gjerësisht të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Greqi, si forcë përparimtare, çka imponon një dinamikë të re në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Asgjë s’ka të panjohur në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Konstatimet e kritikat rreth problematikave të ndryshme nuk duhet të ngatërrohen me përpjekjet për të gjetur zgjidhjet e duhura për to. Fillimisht nevojitet kohë për t’u shëruar nga “plagët” e marra sidomos gjatë vitit të fundit, për të dalë nga gjendja midis konfliktit dhe sikletit. Më pas, aktet deklarative duhet t’ia lënë vendin disiplinës strategjike në trajtimin dhe mbylljen e të gjitha çështjeve me fqinjët.

Gjeografia dhe historia janë komponentë të pazëvendësueshëm në marrëdhëniet ndër-shtetërore. Askush nuk i zgjedh fqinjët, sikundër ditët e lumtura dhe të vështira përballohen me to. Ndërkohë, historia na mundëson nxjerrjen e mësimeve për të vështruar nga e ardhmja me optimizëm. Asgjë nuk është e pamundshme në marrëdhënien shqiptaro-greke, për sa kohë ekziston vullneti i dyanshëm për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët evropiane. Për këtë kërkohet heqje dorë nga mendësitë e së shkuarës dhe pranimi i faktit se jetojmë në një epokë të trazuar, nga pikëpamja e sigurisë, ku trajtimi i çështjeve të pazgjidhura me fqinjët përbën përparësi. Mbi të gjitha, marrëdhënia shqiptaro-greke kërkon ndërtimin e një ure solide për të ardhmen, duke mos mbetur peng e së shkuarës. /Fondacioni “Friedrich Ebert Stiftung”/

 

Exit mobile version