Nuk ka asgjë të panjohur në përkufizimin kushtetues se çfarë entiteti politik është Kosova dhe aq më pak kur kjo ka të bëjë me sovranitetin e saj brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Por, çfarë mund të ketë përtej kategorisë normative kushtetuese e ligjore? Në gjuhen e diplomacisë dhe politikëbërjes nga segmente të caktuara të disa vendeve përbërëse të EULEX-it, sikur nuk po kuptohen përkufizimet kushtetuese, aq më pak që po provohet zbatueshmëria brenda kornizave të sistemit juridik.
Deshifrimi i gjuhës së diplomacisë dhe artikulimit politik, është sferë që kërkon logjikë të fortë në zbërthimin e të gjitha finesave, ekuivokeve, që na bën të kapen kahet e misioneve që shtetet i kanë projektuar për një cikël kohor në raport me një vend, në rastin konkret siç është Kosova. Kjo gjuhë e politikës ka rrëshqitur deri në gojën e njerëzve të formatit ushtarak, qofshin ata gjeneralë me shumë yje dhe deri tek ata të cilët në situata eksesive mund nisin karrierën e tyre.
Veriu i Kosovës tani është vendi ku po hyjnë në punë të gjitha "shkathtësitë" e artikulimit diplomatik dhe politik, që me moton për ta “forcuar” rendin dhe sigurinë, po ngriten pista të tjera për zbehjen e perspektives së një entiteti shtetëror në dy drejtime: E para duke e konservuar problemin e veriut të Kosovës dhe moszgjidhur përfundimisht atë, dhe e dyta nëpërmes dhënies së hapësirës për veprim për strukturat paralele, po demotivohet interesi i atyre shteteve, me gatishmëri për njohje dhe me synime për investime në planin ekonomik.
Nga kjo gjendje pretendohet të nxirret si i domosdoshëm "loja me dialogun" për ato çështje, të cilat janë përkufizuar qartë me dispozita kushtetuese dhe që mbeten sferë e veprimit të institucioneve të penguara të Republikës së Kosovës. Çfarë mund të dialogojnë institucionet e Kosovës lidhur me atë që konsiderohet e drejtë e tyre kushtetuese për të vepruar në të gjithë territorin e vendit? Moslimitimi kohor i zgjidhjes së problemeve në veri të vendit, është qëllim në vete, për ta ngritur një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës në nivel dialogu ndërshtetëror me Serbinë dhe për ta bërë objekt pazarllëqesh.
Këto veprime të heshtura dhe neglizhenca e segmenteve të caktuara të shteteve evropiane e synojnë që kjo të bëhet pjesë e vizionit afatgjatë të politikës së BE-së ndaj disa vendeve në Ballkan si Kosova dhe Bosnja.
Problemi i veriut të Kosovës është terren ku Serbia përmes shtrirjes së pushtetit, qoftë edhe nga perceptimi i saj politik, kërkon ta shkëpusë lidhjen gjeografike të Kosovës me pjesët e banuara kryesisht me myslimanë si Novi Pazari dhe Sanxhaku, korridore këto të cilat mund ta rrisin influecën e shteteve me ndikim zonal dhe global për ta forcuar ndikimin që mund të shtrihet përtej kufijve të Kosovës.
Tendenca e Serbisë është jo vetëm gjeopolitike, gjeokulturore dhe gjeoekonomike; afrimi me urën e Ibrit do t’i krijonte favore duke u ndërlidhur me rrugët tokësore dhe detare me Adriatikun, si dhe do të ndikohej në dobësimin e influencës së Kroacisë dhe vendeve të tjera që Kosovën e shohin nga perspektiva gjeostrategjike dhe ekuilibruese. Edhe pse nuk ka transparencë në këto plane strategjike, shpërbërja e ish- Jugosllavisë dhe lufta për vendosje të ekuilibrave të rinj në Ballkan, me siguri se do të qartësohet më shumë në të ardhmen.
Kjo përkthyer në gjuhen politike shpalos tendencën për zvarritjen e qëllimshme të perspektives për integrimin e Kosovës, pyetje këto që asnjëherë nuk do të mund t’i gjeni në udhërrëfyesin e BE- së për Kosovën, në qoftë se nuk i kuptojmë vetë.